Përplasja
Koncesionet, debate në Kuvend mes Bodes dhe socialistëve
Opozita denoncoi ashpër në Parlament fushatën e qeverisë, që përmes koncesioneve po transferon si monopol tek privatët një sërë shërbimesh publike. “Qeveria ka detyrim t’i ofrojë këto shërbime sociale, e natyrisht edhe ndihmën sociale, por kjo që po ndodh këtu është e shoqëruar në procedurë me mangësi të tjera, është dëmi më i madh që po i bëhet këtij vendi në fund të një mandati 8-vjeçar”, akuzoi socialisti Erjon Braçe. Socialistët u shprehën se përmes kësaj politike, kostoja që po u ngarkohet qytetarëve tejkalon 10 për qind të Prodhimit Kombëtar.
“Janë mbi 1 miliard euro që i paguajnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë pa asnjë shkak, pa asnjë përmirësim shërbimi dhe natyrisht, pa asnjë përfitim të drejtpërdrejtë”, shtoi Braçe.
Ndërsa Kodheli u shpreh se “të gjitha këto janë në kurriz të qytetarëve, që nuk ishin keq që monopoli nga dora e shtetit të kalonte po në monopol në duart e individit, por janë keq që tregu të hapet dhe të ketë konkurrencë”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se qeveria do të vazhdojë t’i transferojë monopolet e shërbimeve publike tek privatët, sepse sipas tij, kjo politikë ul korrupsionin. “Po ju them se deri më sot kam arritur të bëj 5 koncesione, por sikur të mundesha, do të bëja edhe 15 të tjerë, që i gjithë shërbimi publik shqiptar, çdo krimb që ushqen korrupsionin të mund të kalojë në duart e privatit për të rritur cilësinë e për të ulur gjobat ndaj qytetarit”, tha ministri Bode. Më tej, ministri i Financave tha se edhe Rama ka deklaruar se do të jepte me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Ky koncesion, sipas tij, mundëson një shërbim më cilësor me pagesë më të pakët.
“Koncesionimi është zgjidhja më efikase. Rilindësi juaj Rama deklaroi publikisht se do jepte me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Kjo është pjesa më thelbësore e menaxhimit të doganave, kontrolli fizik i mallrave dhe atëherë nuk do të ketë nevojë për grupe taksidarësh që deklarojnë ose jo të vërtetën, por do të ketë një kompani që do të kontrollojë mallrat që dalin nga Shqipëria”, tha Bode.