Opozita bojkoton votimin për anëtarët e gjykatave dhe projektligjeve
Mungesa e opozitës në seancë në momentin e votimit ia ka bërë rrugën më të lehtë mazhorancës të kalojë pa probleme dekretet e Presidentit Nishani për emërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Topalli ka futur në seancë të gjitha dekretet e paraqitura duke mos respektuar rregullin procedural prej 48 orësh nga shqyrtimi në komisionet kuvendore. Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani, Dritan Prifti dhe Kastriot Islami votuan pro emrave të Admir Thanzës, Fatos Lulos, Xhezair Zaganjorit. Ndërsa Prifti ka votuar kundër emrit të Tom Ndrecës. Emrat e propozuar u kaluan me 71-73 vota pro. Ndërsa për emrin e Fatos Lulos u vu re se pro këtij votimi ishin dhe dy deputetët e LSI-së, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo. Kjo bëri që Lulo të ishte emri që mori më shumë vota se emrat e tjerë, pasi pro këtij ishin 74 vota. Opozita nuk ishte e pranishme në seancën e votimit. Duket se PS ka shmangur mundësinë e rrjedhjes së ndonjë vote brenda grupit të saj dhe ka zgjedhur si rrugë bojkotimin e seancës. Kuvendi votoi edhe për zgjedhjen e anëtarit të KLD-së, Lulzim Lelçaj. Ai u votua me 71 vota pro dhe një abstenim. Ndërkohë që Kuvendi miratoi të gjitha projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Pro dekreteve votuan dhe aleatët e PD-së, PR-së dhe PDIU-së. Në sallë mungonte deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. Gjithashtu është parashikuar shqyrtimi me një procedurë të përshpejtuar të nismës së qeverisë për procesin e legalizimeve. PD-ja kishte një ngutje në votimin e këtyre drafteve dhe dekreteve për faktin se kishte të parashikuar të zhvillonte konventën e radhës me të rinjtë.