Flet organizatori i takimit në Vjenë: Nuk kishte incident në takim
Qeveria sajon një incident diplomatik gjatë takimeve në Vjenë që ka zhvilluar prej disa ditësh lideri i opozitës Edi Rama. Dje, Ministria e Jashtme ka sulmuar ashpër kreun e PS-së, duke e akuzuar për dhunë fizike ndaj një diplomati shqiptar në Vjenë, përkatësisht Egin Ceka, djali i ambasadorit shqiptar në Itali, Neritan Cekës, në një aktivitet në Akademinë Diplomatike të Austrisë. Çështja është përdorur ashpër dje nga mazhoranca, ndërsa opozita pasi ka përgënjeshtruar lajmin, ka akuzuar qeverinë se në mënyrë bajate po sulmon politikisht, pasi i janë errësuar sytë nga suksesi i vizitës së Ramës. Por përveç palëve, ka edhe një person, i cili ka qenë moderatori dhe organizatori i takimit të organizuar dje në kryeqytetin austriak, ku kanë marrë pjesë anëtarë të qeverisë së këtij vendi, personalitete të njohura të vendit dhe përfaqësues nga media e shoqëria civile. Është Fate Velaj, i cili për “Shqip”, nëpërmjet telefonit, deklaroi se nuk ka pasur asnjë incident gjatë takimit të zhvilluar dje në Vjenë. Velaj, i cili është drejtues i “Forum Weltoffen International”, deklaroi se “takimi u zhvillua për të pasur një diskutim mbi vizionin dhe programin e kreut të opozitës, Edi Rama, në lidhje me zhvillimin e vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithçka u zhvillua normalisht, pati diskutime, pyetje, përgjigje nga të pranishmit. Në radhën e parë ishin ftuar përfaqësuesit e trupit diplomatik, pra të ambasadës sonë në Vjenë dhe përfaqësisë në OSBE, por nuk erdhi askush. Në mbyllje të takimit, mbërriti zoti Ceka i cili u ul në radhët e fundit. Diplomati shqiptar nuk bëri pyetje dhe gjithçka shkoi normalisht. Pasi u mbyll aktiviteti, të pranishmit u ftuan në një koktej që ishte shtruar për të diskutuar më lirshëm. Në këtë moment, zoti Ceka u afrua dhe i foli ashpër zotit Rama, duke i thënë pse me ke sharë e gjëra të tilla. Kreu i opozitës i ka thënë që ç’janë këto që thua dhe ka shmangur debatin. Gjithçka është mbyllur me kaq dhe nuk ka pasur asnjë incident. Nuk e kuptoj pse është ngritur e gjitha kjo”. Berisha e ka cilësuar si një incident të rëndë, ndërsa opozita e ka cilësuar si një “propagandë antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një ‘diplomati’ që s’është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”.
Akademia
Në një kronikë të gazetarit Muhamed Veliu në “Top Channel”, përfaqësuesit e Akademisë Diplomatike të Vjenës, deklarojnë se nuk ka pasur një incident në takim. Bashkorganizator i forumit me diplomatët në akademinë diplomatike të Vjenës, ku mori pjesë Edi Rama ishte edhe instituti “Reener”. Për të hedhur më shumë dritë rreth incidentit të pretenduar nga Ministria e Jashtme shqiptare mes kreut të opozitës, Edi Rama, dhe diplomatit Egin Ceka, “Top Channel” kërkoi një prononcim nga Marchl Gerhard, shef i seksionit për Europën në institutin “Reener”. Në përgjigjen e tyre me postë elektronike theksohet: “I gjithë forumi dhe dialogu u zhvilluan qetësisht dhe në mënyrë paqësore. Ne mund t’ju themi se nuk kemi asnjë dijeni rreth ndonjë debati apo incidenti të ndodhur pas aktivitetit tonë. Për herë të parë, ne u përballëm me këtë çështje sot pasdite, kur u informuam për lajmin e dhënë nga Shqipëria”.
Ministria e Jashtme akuzoi kreun e PS-së se ka përdorur dhunë verbale e fizike
Takimet – Kreu i opozitës në Austri është takuar me Presidentin, sekretarin e Shtetit për Financat, ministrin e Punës dhe Çështjeve sociale etj.
Premtimi – Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje pas akuzave të mazhorancës: Zotohem se kush do jetë deputet apo ministër të harrojë se do çojë djalë, vajzë, teze, hallë, dajë e deri tek kushëriri i tretë, tek një ambasadë që përfaqëson Republikën e Shqipërisë”
Replikat
Ruçi: Të shkarkohet diplomati, pasi është një mitingash
Berisha: Kuvendi të ngrejë komision hetimor për incidentin
“Incidenti” i Vjenës ka qenë objekt i debateve të ashpra mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Berisha ka mbërritur në fund të seancës duke i dhënë shkëndija debatit politik. “Ky është akti më i rëndë, ndoshta në të tërë historinë diplomatike dhe politike të takimeve dhe konferencave. Pyetjes që iu bë zotit Rama në sallë nga emigrantë pse nuk lejohemi në votojmë në ambasada, ai u përgjigj se diplomatët janë hajdutë votash. Diplomati i ri i tha zotit Rama se jemi këtu zotëri për të shërbyer, nuk jemi hajdutë votash. Kaq mjaftoi për të shtrirë dorën dhe grushtin e pakontrolluar drejt diplomatit. Ne do krijojmë komision hetimor. Zoti kryetar i grupit, i propozoj grupit parlamentar që të marrë komision parlamentar për këtë akt të dhunshëm, ulu aty, ditën e hënë, ky Parlament voton komisionin hetimor parlamentar për të hetuar gjer më një aktin e paprecedentë të turpshëm dhe amoral, akt që nuk ka ndodhur në historinë e këtij shteti, të agresionit të një diplomati të ri nga kreu i opozitës në një moment sfazimi total bipolarizmi ose overdoze”, deklaroi Berisha. Kjo solli më pas reagimin e kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili deklaroi se “diplomati Egin Ceka duhet të shkarkohet, pasi ka tentuar të prishë takimin”. “Emri që përmendi Rama ishte diplomat në Vjenë, dhe i ati diplomat në Romë. Ky djali, i biri i babait ambasador, nuk e honepsi dot, madje mësova se ai djali nuk kishte vajtur se nuk kishte vend atje, se po të kishte qenë përfaqësues diplomacie, duhet të dilte që në aeroport ta priste, të rrinte në takimin me kryeministrin austriak. Ky njeri nuk është diplomat por një person që ti e përdor si mitingash, për të prishur takimin dhe për t’i dhënë një njollë turpi Shqipërisë”.