Dokumentet biometrike, Noka debaton dhe fyen socialisten Felaj


flamur nokaNdryshimet ligjore “Për gjendjen civile” dhe “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë ‘Rapiscan Security’ si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, shkaktoi përplasje të madhe në Kuvendin e Shqipërisë. Fillimisht rendi i ditës për këto çështje nisi me incident, për faktin se në seancë mungonin ekspertët nga Ministria e Brendshme për të dhënë shpjegime. Opozita, në diskutimin e tij për draftin për gjendjen civile, ngriti shqetësimin e pajisjes së shtetasve me dy apo tri karta identiteti, për shkak të ndryshimit të emrave. “Kjo mund të përdoret për zgjedhjet. Ndërsa krijohet një komision politik që jep të drejtën e ndryshimit të emrave. Ndërkohë që ju me këtë ligjin e gjendjes civile, nuk lejoni të merrni emrat e Sali Berishës, Jozefina Topallit apo të Flamur Nokës”, tha Subashi. Ndërsa ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka ndërhyrë, duke theksuar se projekti i propozuar është sipas standardeve të kërkuara nga KE-ja. “Tani Edi Rama ju ka premtuar një emër të ri të rilindësve, nuk është faji im që me këtë ligj të ri nuk e përfitoni një gjë të tillë. Ne kemi vendosur që për figura kombëtare të mos abuzohet me këta emra”, theksoi Noka. Ndërkohë ministri debatoi ashpër me deputeten e PS-së, Ermonela Felaj, e cila e akuzoi ministrinë për nepotizëm. “Ti zonjë, vetëm ti nuk mund të flasësh për nepotizëm. Ti ishe prokurore dhe burri yt ishte oficer i policisë gjyqësore. E di ti se burri yt ka qenë në një lokal të një personi që ju e keni liruar. Burri yt është marrë peng, e di e gjithë Berati një gjë të tillë”, deklaroi Noka. Ndërsa Felaj u shpreh se ishte turp për Shqipërinë që ka një person të tillë në postin e ministrit të Brendshëm. Socialistët reaguan ashpër ndaj qëndrimit të Nokës. “Më vjen turp që ministri i Brendshëm i vendit tim, një nivel i tillë të drejtojë ministrinë. S’ke turp e merresh me një femër”, iu drejtua nga salla socialisti Balla.