Përurimi


“Më 23 qershor, të ndahemi nga njeriu që bllokoi statusin e  vendit kandidat”


BERISHA--09_22Kryeministri Sali Berisha sulmoi dje liderin e opozitës, Edi Rama, duke deklaruar se ai vetëm shpif. Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në përurimin e rikonstruksionit të rrugës Bërxullë – Domje, me gjatësi 5.3 kilometër. Rikonstruksioni i kësaj rruge është një investim me vlerë rreth 233 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10.000 banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Bërxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë – Durrës dhe superstradën e Rinasit. “Vëllezër. Ai shkoi në Shkodër dhe u tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 600 kilometra rrugë, sot nxori dordolecin e tij dhe u tha shqiptarëve, se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 1800 kilometra rrugë. Po zotëri, po shokë, Shqipëri në të cilën endeni ju, aq kilometra rrugë ka, kurse Shqipëria, në të cilën shëtisim ne, ka 18 mijë kilometra rrugë. Meqë jemi te rrugët dhe meqë zoti Rama mban kudo që shkon me vete gënjeshtrat për t’i paraqitur ato, po ju kujtoj se e keni dëgjuar kohët e fundit të thotë se nuk kam qenë kurrë kundër Rrugës së Kombit. Le t’i themi pak këtu para jush se nuk ka më keq, kush i nisi deputetët tuaj këtu si çetnikë për të bllokuar tunelin, të cilët i përzunë mirditorët brenda pesë minutave. A nuk i nise t’i bashkë me çadrat e grevës për në hyrje të tunelit, për të bllokuar ndërtimin e tunelit!? A nuk je ti me partinë tënde që e shpalle Rrugën e Kombit, rrugën e asgjësë!?”, tha Kryeministri. Lideri i PD-së më pas deklaroi se Rama do t’i humbë zgjedhjet e 23 qershorit, duke iu shprehur i sigurt për një mandat të tretë nga e djathta. “Një gjë dua t’ju them dhe të jem i sinqertë me ju. Nuk ka burrë në Shqipëri, nuk ka burrë në Ballkan si ai, arkitekt më të zotin, për humbje njëra pas tjetrës. Nga humbja në humbje, njeriut që nuk i rri shpirti në vend, po nuk regjistroi humbjen e radhës. Ndaj dhe 23 qershori po vjen, të ndahemi përfundimisht me këtë grup njerëzish, të cilët në një akt të shëmtuar, antishqiptar, në një akt të shëmtuar kundër interesave të çdo fëmije, të riu, të çdo burri dhe çdo gruaje, bllokoi statusin e vendit kandidat edhe kur nga e gjithë bota miqtë i thonë, se e bllokove për qëllime personale pushteti, jo thotë s’kemi bllokuar kurrë, pra kalon nga mashtrimi në mashtrim”, tha Berisha.