Kryesocialisti
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka shpërndarë një e-mail nga adresa e tij ku jep përshtypjet mbi vizitën e tij në Austri, për takimet që pati atje dhe mesazhet që mori në takimet me Presidentin apo qeveritarët e tjerë austriakë.
Letra e plotë
Dëshiroj të ndaj me ju përmes këtyre pak rreshtave serinë e takimeve që pata në Austri, një vend me të cilin na lidh jo thjesht një miqësi e gjatë historike, por edhe një sërë lidhjesh ekonomike, politike e diplomatike që e bëjnë Austrinë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë. Ishin takime tejet interesante e shpresëdhënëse që më forcojnë bindjen se pas fitores së 23 qershorit do të kemi mbështetjen dhe solidaritetin e miqve e partnerëve tanë tradicionalë për të realizuar programin tonë ambicioz për Rilindjen e ekonomisë, demokracisë dhe institucioneve në Shqipëri. Takimi më mbresëlënës ishte padyshim ai me Presidentin e Republikës së Austrisë, Heinz Fischer. Patëm mundësinë të shkëmbejmë hapur mendime për situatën parazgjedhore e sigurisht edhe për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke marrë prej tij mbështetjen më të plotë për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në 23 qershor. E njoha Presidentin Fischer me Programin për një Rilindje Shqiptare, duke e garantuar atë se qeveria jonë e re do të mundësojë një klimë të favorshme ndaj biznesit, duke vendosur standarde europiane në konkurrencë dhe në zbatimin e ligjit.
Për Programin e Rilindjes diskutuam edhe me ministrin austriak të Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudolf Hundsdorfer, duke u përqendruar në asistencën austriake për implementimin e programeve të punësimit dhe ringritjen e sistemit të arsimit profesional sipas modelit të suksesshëm austriak. Por natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur takimin me mikun tim, Andreas Schieder, sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Financave, i cili na garantoi për dëshirën dhe vullnetin e Austrisë për të ndihmuar në realizimin e projektit tonë ambicioz për Rilindjen dhe u shpreh se pret me gëzim muajin korrik dhe qeverinë e re shqiptare. Në mbyllje të kësaj vizite të suksesshme zhvillova një bashkëbisedim të hapur në Akademinë Diplomatike në Vjenë, ku pata rastin t’i përgjigjem interesimit të të pranishmëve – diplomatë, zyrtarë, sipërmarrës, por edhe qytetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Austri – në lidhje me vizionin tonë për ribashkimin e Shqipërisë me Europën.
Është gjithnjë një ndjesi e veçantë kur pritesh me kaq shumë dashamirësi nga zyrtarët më të lartë të një vendi me të cilin na lidh një miqësi historike dhe i cili është njëherazi një prej mbështetësve kryesorë të integrimit të Shqipërisë dhe mbarë rajonit tonë në Bashkimin Europian. Me mbështetje të tillë, nga miq dhe partnerë europianë, jam i bindur se pas fitores së 23 qershorit do të arrijmë të kthejmë në realitet Programin për Rilindjen.