Nisma
PD, komision të tretë parlamentar ndaj liderit të opozitës, Edi Rama
BLEDAR HOTI
Partia Demokratike vihet në lëvizje për hetimin e tretë të kryesocialistit Edi Rama. Pas reagimit të Berishës në Parlament, brenda 18 orësh, 38 deputetë të PD-së firmosën nismën për ngritjen e komisionit “Për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë akademisë diplomatike të Vjenës”. Ende pa u marrë vendimi, nisma shoqërohet dhe me përbërjen e emrave të komisionit, ku kryetar do të jetë Fatbardh Kadilli dhe anëtarë Dashnor Sula, Paulina Hoti, Gert Bogdani dhe Osman Metalla. Ndërkohë, për shkak të mbarimit të Kuvendit, nuk i është caktuar afati i këtij komisioni. Kjo për faktin se nuk mund të ngrihen komisione hetimor katër muaj përpara mbarimit të mandatit të Parlamentit. Gjithsesi, PD në nismën e saj argumenton se ka afat kohor, pasi “Sipas nenit 65 pika 1 të Kushtetutës, mandati 4-vjeçar i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij, pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Kuvendi ekzistues ka zhvilluar mbledhjen e tij konsitituese më 7 shtator 2009, çka tregon që mandati i tij 4-vjeçar përfundon më 7 shtator 2013. Për pasojë, periudha 4-mujore, gjatë të cilës nuk mund të merret vendim për ngritjen e një komisioni hetimor është 7 maj 2013 – 7 shtator 2013. Në përmbyllje të kësaj analize, nxirret përfundimi se nuk ka asnjë pengesë procedurale ligjore për ngritjen e Komisionit Hetimor gjer më 6 maj 2013”. Pra, Kuvendi i Shqipërisë do të hyjë në librin “Gines”, pasi do të bëjë një hetim të thelluar për jo më pak se një javë. Ndërkohë që neni 4 ligjit për komisionet hetimore parashikon arsyet e ngritjes së një hetimi, që përfshin zyrtarët e lartë dhe jo liderin e opozitës që nuk ka asnjë funksion shtetëror. “Komisionet hetimore të Kuvendit krijohen për të hetuar çështje të veçanta, sipas nenit 77 pika 2 të Kushtetutës.
Komisioni hetimor i Kuvendit krijohet edhe për të hetuar mbi zyrtarë me imunitet që kanë lidhje me çështjen që është objekt i hetimit. Kuvendi ka të drejtë të caktojë komision hetimor sa herë që fillon procedurën e shkarkimit të zyrtarëve të lartë, të parashikuar në nenet 62, 73 pika 3, 90 pika 2, 128, 140, 149 pika 2 dhe 162 të Kushtetutës, si dhe në rastet kur ligji i jep të drejtë Kuvendit të shkarkojë zyrtarë të tjerë. Komisioni nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatave”, thuhet në nenin 4. PD, ndërkohë, e argumenton nismën në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, kur thuhet se nëse ka një interes publik mund të ngrihet një komision hetimor. Kjo është nisma e tretë e PD-së ndaj Ramës, me anë të një komisioni hetimor. Të tria këto struktura hetimore janë ngritur pikërisht disa muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme.