Ballkani


Presidenti serb kërkon falje për krimet e luftës


Marija Ristic BIRN


nikolicPresidenti serb, Tomislav Nikolic, tha se “po përgjërohet” në gjunjë dhe kërkon falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Bosnjë, gjatë konfliktit të viteve 1990.


Nikolic kërkoi falje “për të gjitha krimet e luftës të kryera nga çdo individ në emër të popullit serb dhe Serbisë”, gjatë një interviste për televizionin boshnjak, BHT.


“Çdo gjë që ka ndodhur gjatë viteve 1990 ishte një formë gjenocidi. Por gjunjëzohem dhe kërkoj falje në emër të popullit tim për krimet që janë kryer në Srebrenicë”, tha Nikolic gjatë një emisioni ku u transmetua një intervistë e tij, të enjten.


Nikolic tha gjithashtu se planifikon të vizitojë Srebrenicën, në të ardhmen.


Në fillim të detyrës si president, në maj të vitit të shkuar, Nikolic ka bërë disa deklarata në lidhje me masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë, që kanë shkaktuar reagime kontroverse në rajon.


Ai refuzoi ta përshkruajë vrasjen e të paktën 7,000 boshnjakëve në qytet si gjenocid, duke thënë se kjo nuk ishte vërtetuar para gjykatave ndërkombëtare.


Por kritikët theksuan se dy institucionet ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i kanë klasifikuar masakrat në Srebrenicë si gjenocid, në vitin 2004 dhe 2007.


Kërkimi i ndjesës nga Nikolici vjen pas vizitës së parë të dy nga tre anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Nebosja Radmanovic dhe Bakir Izetbegovic, në Beograd, këtë javë.


Presidenti serb dhe ai boshnjak kanë pranuar të ndërtojnë marrëdhënie të mira dhe të zhvillojnë lidhje më të forta.


Por anëtari i tretë i Presidencës së shtetit në Bosnjë, përfaqësuesi kroat, Zeljko Komsic, refuzoi të shkojë në kryeqytetin serb.


Ai tha se debati i organizuar nga Serbia më 10 prill për rolin e gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të cilën foli Nikolic, i ka ofenduar viktimat e luftës së Bosnjës të viteve 1992-95.


Sidoqoftë, Komsic e mirëpriti deklaratën e Nikolicit të enjten, dhe tha se kjo mund të ndihmojë në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Sarajevës.


“Besoj se kjo do të përmirësojë marrëdhëniet në rajon. Ka ardhur koha që të gjitha vendet e rajonit t’i drejtohen një të ardhmeje të përbashkët dhe integrimit europian, si dhe të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësie”, tha Komsic.