GJYKATA-DURRESGjykata e Durrësit ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin dhe ka vendosur “arrest me burg” për Ardit Hyskan, i cili akuzohet për vrasje e shtetasit Refik Lila. I akuzuari ka mohuar sërish vrasjen, duke deklaruar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ai ndodhej në spital tek i ati.


Pavarësisht pretendimeve të të pandehurit, gjykata ka vendosur që 28-vjeçari Ardit Hyska të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.


Vrasja ndodhi ditën e mërkurë në qytetin e Durrësit, pas stadiumit “Niko Dovana”, kur viktima 27 vjeçari Refik Lila, ndodhej në lulishten para një blloku pallatesh në këtë zonë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është konfliktuar me një person me kapele, pasi ka zbritur nga automjeti “Ford Focus” me targa të huaja. Në konflikt e sipër, debutuesi ka qëlluar mbi të dhe është larguar më pas me një automjet që, sipas dëshmitarëve, ka qenë i tipit “Mercedes Benz”.


Shërbimet e policisë arrestuan pak orë më pas 28-vjeçarin Hyska, person me precedentë penalë. Sipas policisë, fillimisht është gjetur e sekuestruar arma e krimit, pistoletë e markës “Beretta”, e cila u gjet pak metra larg vendngjarjes. Më pas, pranë spitalit u gjet automjeti “Benz”, me targa AA 307 AB, që rezulton se i përket të arrestuarit. Sipas dëshmitarëve, me këtë mjet është larguar autori i krimit. Më pas, policia ka gjetur kapelën dhe bluzën e përdorur në vrasje.


 


27 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)