Lezhë
Marash Kolndreu mori tre plumba, hetohet vrasja e 30 viteve më parë
Vritet në pritë një 63-vjeçar nga fshati Manati Torrovicë i Rrethit të Lezhës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se viktima prej disa minutash kishte dalë nga banesa, ndërsa ka hasur në pritë, duke u qëlluar me armë zjarri, në mënyrë të menjëhershme dhe duke i marrë edhe jetën. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, mësohet se Marash Kolndreu ka marrë tre plumba nga breshëria e automatikut e shkrehur mbi të. Edhe pse është transportuar nga banorë të zonës në spitalin rajonal, nuk u ka rezistuar plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Pas krimit, autorët të cilët për policinë janë identifikuar, janë larguar me mjetin e tyre nga vendi i ngjarjes, ndërsa uniformat blu kanë ngritur postblloqe dhe po punojnë për kapjen e tyre. Operacioni i cili është drejtuar nga zëvendësdrejtori i Lezhës, Alfred Mara, nuk ka arritur të gjejë vendndodhjen e të dyshuarve si autorë të krimit. Paralelisht, policia po punon në të vetmen pistë, asaj të gjakmarrjes. Sipas policisë, dyshimet e para janë hedhur mbi një gjakmarrje të mundshme për një vrasje të kryer rreth 30 vite më parë nga xhaxhai i viktimës në Tropojë.
Në pyetje janë marrë familjarët e viktimës, të cilët kanë pasur dyshime për disa lëvizje të dyshimta në zonë. Sipas tyre, autorët mund të kenë studiuar lëvizjet e 63-vjeçarit, ndërsa dy ditë më parë, ata e kanë marrë në telefon për të pirë një kafe, në qendër të fshatit Torrovicë. Marashi ka dalë nga banesa dhe është nisur në drejtim të lokalit. Vetëm 100 metra larg banesës së tij, ai është përballur me vrasësit, të cilët kanë shkrehur mbi të një karikator me fishekë, por vetëm tre plumba e kanë kapur viktimën. Sipas familjarëve, krimi është parë nga nipi i 63-vjeçarit i cili është vënë në ndjekje të autorëve me një motor. Sipas dëshmisë së tij, autorët janë larguar në drejtim të Shkodrës me një automjet fuoristradë me xhama të zinj. Marash Koldreu ishte nga Tropoja dhe është shpërngulur duke u vendosur në Torrovicë në vitet ‘90, për t’ju shmangur gjakmarrjes. Viktima kishte gjashtë fëmijë.
Ndërkohë, një tjetër 60-vjeçar është gjetur i vdekur në një tunel të ushtrisë në fshatin Malë-Bardhë të Rrethit të Kurbinit. Ai është Mark Marku, dhe sipas familjarëve, është gjetur nga fëmijët e fshatit i pajetë dje rreth orës 15:00. Ata kanë njoftuar prindërit dhe këta të fundit policinë. Mësohet se viktima kishte humbur prej 10 ditësh. Nga hetimet e para ka rezultuar se Marku kishte probleme nervore, ndërsa në trupin e tij nuk janë gjetur shenja që mund të dyshohet për ushtrim dhune apo vrasje. A.Bushi