berisha en durresKryeministri Sali Berisha ishte ditën e sotme në Durrës ku inauguroi rrugën Shën Vlash- Katund i Ri e cila do të shërbejë për të lidhur tre komuna me autostradën Durrës-Tiranë dhe do t’u shërbejë 20 mijë banorëve.


Në fjalën e tij me këtë rast, Berisha premtoi se infrastruktura rrugore ka qenë dhe do të jetë prioritet i qeverisë ndërkohë që ironizoi deklaratat e kreut të PS lidhur me mungesën e rrugëve.


“Ndërtuam dhe rindërtuam mbi 8 mijë km rrugë rurale. Por Rama është i tmerruar nga këto ndërtime dhe deklaroi në Shkodër se janë gjithsej 600 km. Ja ku jam, e ftoj të vijë apo të lexojë në Facebook-un tim; që nga data 1 prill deri më 20 qershor do inaugurojmë jo më pak se 400 km rrugë të reja. Rrugët i ka tmerr, në Tiranë tha pastaj se janë 1500 km rrugë të ndërtuara, do t’i them se nga Konispoli deri në Vermosh po ndërtohen mbi 1500 rrugë të reja”, tha Berisha.


Sipas kryeministrit deklaratat e kryesocialistit për 1 mln të papunët janë vetëm dashakeqëse dhe përçartje, pasi sipas tij vendi ynë, ndryshe nga fqinjët ka ulje të papunësisë, dhe këtë e thonë institucione ndërkombëtare.


Ai akuzoi edhe një herë kreun opozitës si një frikacak që bllokoi integrimin e vendit duke mos votuar tre ligjet në kuvend, ndërsa tani, sipas Berishës, Rama derdh lot krokodili për pensionet e emigrantëve të cilat nuk jepen sipas tij, pikërisht pse vendi nuk ka statusin e kandidatit në BE të cilin e bllokoi vetë kreu i PS.


“Statusi do na jepej me kusht që parlamenti të votonte 3 ligje, zoti Edi Rama me një akt hakmarrës primitiv, me qëndrim të papërgjegjshëm ndaj çdo qytetari që nga tetori 2012 deri më sot mban peng 3 ligje për t’ju treguar shqiptarëve se çfarë është në gjendje të bëjë me zemërligësinë e tij. Sot derdhte lot krokodili për pensionet e emigrantëve. A e dini pse nuk u jepen, sepse s’kemi statusin e vendit kandidat. Të gjitha vendet janë të detyruara t’ua njohin vitet e punës emigrantëve shqiptarë po të kishim statusin”, tha kryeministri.


Rama-Berishës: Takon njerëzit me antiplumb në mes të vapës dhe më akuzon mua për frikacak


Kryesocialisti Rama ka reaguar në rrjetin social ‘Twitter’, pas akuzave të kryeministrit Sali Berisha nga Durrësi, ku ai e quante frikacak.


Sipas Ramës, kryeministri nuk mund ta akuzojë atë për frikacak, kur në mes të vapës takon njerëzit i veshur me antiplumb.


“Takon njerëzit me antiplumb edhe në mes të vapës dhe akuzon të tjerët si frikacak”, shkruan Rama në Twitter.


28 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)