62600_337245576397314_772406992_nTopi: Duhet një komision hetimor për nepotizmin në ambasada


Ish-presidenti i republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje, se komisioni parlamentar për të ashtuquajturin “incident diplomatik” të Vjenës është një lojë politike dhe nëse do të duhej të ngrihej komision hetimor, ajo duhet të ndodhte për shndërrimin e shërbimit diplomatik në një çerdhe militantësh që shkelin statusin dhe ligjin e shtetit. Kreu i Frymës së re Demokratike është ndalur në çështjen më të fundit të ngritur në “tym” nga mazhoranca, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të FRD-së.


Duke u ndalur në incidentin e fundit diplomatik, Topi tha se komisionet hetimore janë shndërruar në instrumente të një individi dhe nuk përkojnë me atributet serioze dhe fisnike të organit ligjvënës. “Në rast se ka nevojë për hetim parlamentar duhet hetuar pikërisht politika e pandershme nepotike e pushtetit që ka pushtuar selitë diplomatike”, nënvizoi Topi. Ai kritikoi qëndrimet e disa mediave dhe analistëve, “të cilët janë kthyer në kamikazë të pushtetit, për shkak të interesave të ngushta personale me të”. “Këto mjedise televizive jo vetëm që nuk thonë të vërtetën, por e deformojnë atë duke kryer një krim të rëndë ndaj opinionit publik”. “FRD-ja është në sinkron të plotë me ndërhyrjet e SHBA-së dhe BE-së ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me procesin zgjedhor”, tha Topi, duke shtuar se drejtuesit e FRD-së janë në kontakte të vazhdueshme me selinë diplomatike amerikane në Tiranë. “Të ashtuquajturit ambasadorë apo të ngarkuar si ambasadorë refuzonin të prisnin kryetarin e shtetit në kryeqytetet e Europës Perëndimore. Nëpër zyrat e tyre nuk kishin fotografinë e kryetarit të shtetit. Kjo ka nevojë për hetim, kjo Shqipëri nuk është ‘domain’ i një njeriu. Ky është roli i Parlamentit, të shohë edhe emërimet që shkojnë si propozime nga qeveria, nga të ashtuquajturat komisione, ku funksionon vetëm vullneti i një mazhorance të thjeshtë”, tha Topi. Në fakt, ish-presidenti i republikës, vetëm sa ka prekur një pjesë të një fenomeni, që prej disa vitesh jo vetëm që u bë një gangrenë, por krijoi edhe probleme të rënda në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në disa raste, përfaqësuesit diplomatikë të vendit silleshin si përfaqësues jo shtetërorë duke përdorur preferenca personale dhe politike. Rasti më i fundit është pranvera e vitit 2012, kur presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, zhvilloi një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai nuk u prit, nuk u shoqërua dhe nuk u protokollua nga përfaqësuesi diplomatik i Tiranës zyrtare në Londër, Mal Berisha. Përfaqësuesi diplomatik, për një kohë të gjatë drejtoi ambasadën tonë në Britani, ndërsa nuk ishte dekretuar si ambasador nga kreu i shtetit, por kishte statusin e “të ngarkuarit me punë”. Presidenti Topi nuk kishte firmosur kandidaturën e Mal Berishës për ambasador në Gjermani dhe Kryeministri Berisha e caktoi të Ngarkuar me Punë në Britani, duke e mbajtur deri në dhjetorin e vitit të shkuar, kur ka marrë emërimin nga Presidenti i Republikës. Ndërkohë, përveç diplomatit të Britanisë, ka pasur edhe ambasadorë të tjerë, të cilët janë “sëmurur gjatë vizitave zyrtare të presidentit Topi në vende të ndryshme. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, deklaroi se në qeverisjen e ardhshme shërbimi diplomatik do të depolitizohet dhe do të jetë vetëm në shërbim të shtetit. “Do t’i çlirojmë dhe rilindim diplomatët shqiptarë, ata profesionistë kuptohet, se ata talebanë do të kthehen andej nga kanë ardhur. Shërbimi diplomatik do të punojë për të rritur dinjitetin e shtetit shqiptar dhe për të thithur investimet e huaja”, deklaroi Bushati.