Verilindorët, të sigurt drejt Europës. Fiton edhe Teuta. Shkumbini bie nga Superiorja
Altin Manallari
Një fitore tenistike 6-1 në një ndeshje ndaj rivalit direkt si Flamurtari, është kartëvizita më e mirë që mund të lërë Kukësi, i cili brenda një sezoni u katapultua nga Kategoria e Parë në Superiore dhe tani në Europa League. Për këtë të fundit mungon ende zyrtarizimi matematik, por duket e vështirë që kuksianët ta humbasin këtë mundësi.
Konfirmimi më i mirë, që mund t’i bëhej kësaj skuadre simpatike në vitin e saj të parë në Kategorinë Superiore, ishte pikërisht fitorja e djeshme 6-1 në shtëpi ndaj vlonjatëve. Një dominim total i verilindorëve të drejtuar nga trajneri Armando Cungu. Pas vetëm 8 minutash lojë ka hapur goleadën me një 11-metërsh Allmuça, i cili do të shënonte edhe golin e 2-0 në minutën e 22. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat komod për kuksianët. Megjithatë në të dytën ata nuk preferuan të mbrohen dhe pas vetëm 2 minutash lojë Hoxha ndëshkon sërish Flamurtarin. Progni në të 51-n realizon golin e katërt. Flamurtari tenton të bëjë diçka, por lë shumë hapësira prapa dhe ndëshkohet edhe me dy gola të tjerë. Hoxha kompleton dopjetën personale në minutën e 60, ndërsa Popoviç fikson te shifrat 6-0. Një minutë më vonë, një gol i Muzakës vlen vetëm për të ngushtuar rezultatin në 6-1 dhe për të marrë duartrokitjet e tifozerisë kuksiane, e cila e ka kthyer në një festë të vërtetë këtë sfidë. Me 46 pikët në vendin e dytë, 1 më shumë se Teuta dhe 4 më shumë sesa Flamurtari, e çojnë Kukësin thuajse të sigurt në Europa League, edhe pse janë 2 ndeshje për t’u luajtur. Një arritje e tillë përligj investimet e mëdha të presidencës, të cilët i besuan Armando Cungut postin e trajnerit, por që e mbështetën atë nga pas me një markë të futbollistit shqiptar si Sulejman Starova, në postin e drejtorit teknik. Tani po korrin frytet. Ndërsa me këtë humbje është turpëruar Flamurtari i milionave, i cili duket se do të mbyllë një sezon zhgënjyes, pasi është skuadra më pak e favorizuar në duelin për Kupat e Europës ku shkojnë vetëm vendi i dytë dhe i tretë. Në këtë valle është rikthyer Teuta, e cila fitoi me përmbysje 1-2 në Ballsh ndaj Bylisit. Kjo javë ka zbardhur edhe një tjetër verdikt, atë të skuadrës së katërt, që do të shoqërojë Apoloninë, Tomorin dhe Luftëtarin të rënë tashmë në Kategorinë e Parë. Është Shkumbini, i cili u mund në Laç 1-0. Vllaznia e të rinjve mundet në shtëpi 1-0 nga Besa. Tirana nuk shkon dot më tej se një barazim 0-0 me Apoloninë në Fier. Barazim 2-2 mes dy të rënëve, Tomorit dhe Luftëtarit.
Superiore (Java XXIV)
DJE
Kukësi–Flamurtari 6-1
Allmuça 8′ (11-m), 22′, Hoxha 47′, 60′, Progni 51′, Popoviç 75′ / Muzaka 76′
Luftëtari-Tomori 2-2
Golat: Fonseka 32′ (pen), Lluka 38′ / Muxhaj 7′, Fonseka 10′ (aut)
Laçi–Shkumbini 1-0
Ndreka 62′
Bylis-Teuta 1-2
Bakiu 30′ / Jakupi 60′, Hodo 67′
Apolonia-Tirana 0-0
Vllaznia–Besa 0-1
Berisha 67′
DJE
Skënderbeu-Kastrioti 2-0
Bici 38′, S.Lilaj 58′
Klasifikimi
Skuadrat N P
1. Skënderbeu 24 55
2. Kukësi 24 46
3. Teuta 24 45
4. Flamurtari 24 42
5. Tirana 24 39
6. Laçi 24 37
7. Vllaznia 24 35
8. Kastrioti 24 34
9. Besa 24 30
10. Bylis 24 29
11. Shkumbini 24 23
12. Luftëtari 24 19
13. Tomori 24 16
14. Apolonia 24 11