Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga Athina i bëri thirrje emigrantëve që të vijnë të shumtë që të votojnë për rotacionin “e domosdoshëm” politik të vendit.
Në një sallë entuziaste të mbushur plot, Meta apeloi: “Më 23 qershor, ejani dhe votoni për një Shqipëri europiane. Aleanca jonë Europiane do të garantojë vende të reja pune, do të çojë përpara procesin e integrimit europian”.
Sipas Metës, i cili i cilësoi emigrantët si “kontribues për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë” dhe i falenderoi për mbështetjen që i kanë dhënë “forcës progresiste të LSI-së”, “rotacioni politik është bërë i domosdoshëm për t’i dhënë rrugë atij ngërçi institucional ku është zhytur vendi”.
Kryetari i LSI-së theksoi gjithashtu se vendi ka nevojë për një filozofi të re bashkëpunimi.
Ai përsëriti se koalicioni zgjedhor i 2009-s ishte i imponuar, ndërsa duke iu referuar lëvizjes së fundit të partisë së tij për t’u larguar nga koalicioni me PD dhe për të hyrë në një koalicion parazgjedhor me PS, Meta u shpreh se LSI e respektoi deri në fund marrëveshjen, duke u ndarë në mënyrën më të kulturuar, por sipas tij Berisha nuk mundi t’i rezistonte pasionit të shfrenuar për pushtet duke lëshuar një lumë akuzash ndaj LSI.
“Nuk ishin të paktë ata që u habitën për shkak të vendimit të LSI për të konfirmuar përfundimin e marrëveshjes me PD dhe për të vendosur një koalicion parazgjedhor me PS dhe opozitën në tërësi. Përsëri LSI solli një risi në politikën shqiptare, sepse ne u ndamë si xhentëlmenë me PD-në, pa rënë viktimë e përvojave joqytetare ku ndarjet bëhen me zhurmë, me sherre dha akuza. Politika jonë dhe shoqëria jonë duhet të mësohet me kulturën e kompromisit dhe të respektimit të marrëveshjeve. Edhe zoti Berisha u përpoq të paraqitej si xhentëlmen, por nuk duroi dot dhe pas disa ditësh dhe ra viktimë e pasionit të tij për pushtetin e pakufizuar. Gjë që nuk është pozitive për çdo politikan, aq më tepër për një politikan me shumë përvojë si ai”, – u shpreh Meta.
28 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)