berisha en durresKryeministri i vendit, Sali Berisha ishte ditën e sotme në Lezhë ku përuroi aksin Blinisht–Kodhel,  që do të lidhë Dajçin dhe Blinishtin me superstradën. Rruga bën të mundur shfrytëzimin e potencialeve të gjithanshme të Zadrimës, e njohur për traditat e saj.


Në fjalën e tij kryeministri ka renditur një sërë nga arritjet e qeverisë së tij në fushën e infrastrukturës, ndërtimit të ujësjellësve dhe shkollave, duke bërë gjithçka sipas tij që infrastruktura në fshat dhe në qytet të jetë e njëjtë.


“Në 6 vjet në Shqipëri kemi asfaltuar dhe ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Vetëm në qarkun e Lezhës, kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 500 km rrugë. Do bëjmë gjithçka që të asfaltojmë çdo km”, tha kryeministri.


Ai akuzoi edhe një herë kreun e opozitës Edi Rama se bllokoi statusin e vendit kandidat dhe integrimin duke mos votuar tre ligjet, të cilat premtoi se do t’i votojnë shqiptarët me referendum pas 23 qershorit.


“Ne bëmë gjithçka për ëndrrën tonë europiane. Ne ja dolëm të heqim vizat dhe shqiptarët lëvizin sot të lirë në Europë. Morëm statusin e vendit kandidat, por ata bllokuan tre ligjet të cilat tashmë presin 23 qershorin, votën tuja për të shembur murin në rrugën tonë drejt Europës”, tha kreu i qeverisë.


Berisha shprehu entuziazmin në fitoren e thellë më 23 qershor, pasi sipas tij e djathta vjen në këto zgjedhje me aleancën më të gjerë dhe më të vërtetë në historinë e vendit, ndërsa premtoi se ‘do t’ia ngecte halat e Lalzit në fyt ‘atij’’, duke iu referuar kryesocialistit Rama.


Sipas kryeministrit, aleanca tjetër është një bashkim fundërrinash, e përbërë nga  parti fantazmë prej kriminelësh. E majta theksoi Berisha, është duke mashtruar me emra partish pasi nga 35 parti në koalicion, 25 nuk kanë qenë kurrë në zgjedhje.


29 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)