Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e së hënës në qytetin e Elbasanit një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat e këtij qyteti. Barazia gjinore ka qenë tema e këtij bashkëbisedimi dhe kreu i qeverisë ka premtuar trajtimin e saj me prioritet në mandatin e ardhshëm qeveritar.
“Në Shqipëri vepron muri i patriarkisë. Ky mur ka aspekte nga më të shumtat, por ai që ndikon më shumë në barazinë gjinore është aspekti financiar. Burri merr nën kontroll gjithë anën ekonomike të familjes dhe gruas i lë situatën shtëpiake. Roli i qeverisë është i pamohueshëm dhe ne nisëm të luftojmë këtë hendek të madh mes grave dhe burrave.
Ne ndikuam fuqishëm me rritjen e rrogave në administratë, shumica e të cilës përbëhet nga gra dhe vajza të reja dhe situata ndryshoi. Ajo nuk është aty ku duhet, por diferenca ka zbritur në 17 për qind, nën mesataren e BE. Ne sot lëmë mbrapa 11 vende anëtare të BE”, ka thënë Berisha.
Një tjetër pikë e prekur nga kryeministri ka qenë vdekja foshnjore, e cila sipas tij është ndër më të ulëtat në botë, pasi është 1-shifrore.
29 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)