Kryeministri zhvilloi dy takime elektorale në këtë qark 


Replika e Ramës: “Ai i takon njerëzit me antiplumb edhe në mes të vapës dhe akuzon të tjerët si frikacakë”


Gjate nje inaugurimiKryeministri Berisha zhvilloi dje dy takime elektorale në Qarkun e Durrësit, ku përveç prezantimit të programit të PD-së, bëri dhe akuza të ashpra ndaj opozitës dhe mbështetësve të saj. Si fillim ai zhvilloi në qytetin e Durrësit një bashkëbisedim me punonjëse dhe menaxhere, vajza e gra të angazhuara në biznes, të cilat i siguroi për angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për ngushtimin e pabarazisë gjinore në vend. Por ai nuk harroi të akuzonte Ramën dhe mbështetësit e tij, duke i quajtur fosile dhe gënjeshtar. “Atë ‘Darkën e gabuar’ e komentova njëherë në Parlament. Por çfarë ndodhi në prani të këtij grupi, pak a shumë liberal, njerëz të letrave? Hapet çështja Sali Berisha dhe Enver Hoxha dhe ky, bashkë me avokatin (Spartak Ngjelën), mahnitën të pranishmit, duke thënë se Enver Hoxha bëri shtet. Këtë doktrinë, ose këtë pikëpamje e përhap edhe Rexhep Qosja, që është një fosile e botës së vjetër për sa i përket anës parimore. Nuk i mohoj Qoses unë ‘Danjollën e Sherkës’, ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, është një kryevepër, është vetë personazh. Ndërsa mendimet e tjera ai i ka nga më të mykurat. Ai hapi tezën se Enveri bëri shtet. Kur e pyetën ata që ishin të pranishëm në darkë se të futi në burg, Ngjela përgjigjet se: ‘Më futi, por më futi me ligj. Këta janë grupuar bijë të etërve të Bllokut, janë strukturuar në një betejë të orëshme kundër realitetit të sotëm shqiptar”, deklaroi Berisha ndaj opozitës dhe mbështetësve të forcave opozitare. Ndërsa pasditen e djeshme inauguroi rrugën Shën Vlash-Katund i Ri, që pritet të shërbejë si arterie lidhëse për tri komuna, me autostradën Durrës-Tiranë, si dhe me Bashkinë e Durrësit. Ai e akuzoi Ramën si frikacak dhe bllokues të procesit të integrimit të Shqipërisë, nisur nga mosvotimi i tri ligjeve të integrimit. Berisha theksoi se Rama derdh lot krokodili para emigrantëve, por ka bërë çdo përpjekje për pengimin e mundësive të tyre. “Statusi do të na jepej me kusht që Parlamenti të votonte tri ligje, zoti Edi Rama me një akt hakmarrës primitiv, me qëndrim të papërgjegjshëm ndaj çdo qytetari që nga tetori 2012 deri më sot, mban peng tri ligje për t’iu treguar shqiptarëve se çfarë është në gjendje të bëjë me zemërligësinë e tij. Sot derdhte lot krokodili për pensionet e emigrantëve. A e dini pse nuk u jepen, sepse s’kemi statusin e vendit kandidat, të gjitha vendet janë të detyruara t’ua njohin vitet e punës emigrantëve shqiptarë po të kishim statusin”, akuzoi Berisha kreun e opozitës në vend.


 


Përllogaritja


Rama: Berisha ka ndërtuar 1515 km rrugë, le të dalin të na përgënjeshtrojnë


Kreu i PS-së, Edi Rama, e quajti dje një gënjeshtër monumentale atë të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, se në vend ishin ndërtuar 10400 kilometra rrugë. Ai deklaroi se një ekip në PS kishte bërë një përllogaritje, ku konkludohej se gjithsej ishin ndërtuar dhe rikonstruktuar vetëm 1515 km rrugë, duke filluar nga ato me 4 korsi e deri te rrugët rurale me 1 korsi. Ai e ftoi që institucionet qeveritare të nxirrnin të dhënat e tyre për ta përgënjeshtruar këtë fakt.