Hungarezët janë vetë viktimë e urrejtjes etnike në Rumani, Sllovaki e Serbi, por duket se janë të prirur të bëjnë të njëjtën gjë kundër romëve që jetojnë në këtë vend


Nick Thorpe, BBC



Marrëdhënia mes minoritetit rom dhe shumicës jo rome është e vështirë në shumë vende të Europës Qendrore. Por së fundmi është Hungaria qendra e vëmendjes, për shkak të shumë problemeve të raportuara. Pyetja është nëse ka shembuj praktikash të mira.


“Unë nuk po ju kërkoj ju të dashuroni jevgjit, por ne të gjithë duhet të jetojmë së bashku”, tha koloneli i policisë para sallës së mbushur me kadetë. “Dhe për këtë, policia duhet të tregojë tolerancë dhe besim, jo urrejtje dhe përjashtim”.


Salla bie në heshtje. Po prekim nervin më të ndjeshëm të shoqërisë hungareze. Dhe nervi lëviz vendit. Më së shumti, dhemb. Disa minuta më parë, unë mora opinionin e policëve dhe policeve të reja.


“Në përvojën time, 70 apo 80 për qind e krimeve kryhen nga romët”, thotë njëri prej tyre. “Pra çfarë mund të mendoj kur unë ndaloj një njeri gjatë punës sime të përditshme ndërsa ai thotë se e kam ndaluar vetëm për shkak të origjinës etnike?”.


“Problemi nuk është paragjykimi i shumicës”, thotë një tjetër. “Është mënyra se si romët na urrejnë ne, hungarezët”.


Një kadete mori një këndvështrim tjetër. “Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shohim të gjitha shenjat e mostoleranës apo urrejtjes etnike – në internet dhe në jetën e përditshme”, thotë ajo.


Është një mëngjes i pazakontë në akademinë e madhe të policisë në Miskolc, një qytet me normë papunësie 25 për qind. Një aktiviste amerikane, Patrice O’Neill, gjendet këtu për të ndarë eksperiencën e saj në luftën kundër krimeve të urrejtjes në SHBA, ku grupimet e supremacisë së të bardhëve sulmojnë afro-amerikanët, hebrenjtë, meksikanët, indianët e Amerikës dhe homoseksualët. Dhe se si shoqëria mblidhet së bashku për të thënë “kjo nuk duhet të ndodhë në lagjen tonë”.


Shumica e atyre që dëgjojnë fjalët e saj, ndërsa ajo udhëton në Hungarinë e Lindjes, e pëlqejnë mesazhin e saj. Por shumë janë skeptikë. A mundet që hungarezët të reagojnë siç duhet kur përballen me incidente? A mund ta kenë ata vetëbesimin dhe kurajën qytetare të amerikanëve?


Shumë njerëz nuk janë të njohur me konceptin e krimit të urrejtjes – idenë e vënies nën shënjestër të njerëzve për shkak të ngjyrës së lëkurës, besimit fetar apo orientimit seksual. Shumë nuk shohin ndonjë dallim nga llojet e tjera të krimit.


Tre vjet kanë kaluar që nga koha kur katër njerëz u akuzuan për vrasjen seriale të gjashtë romëve, për arsye të urrejtjes etnike. Gjyqi i tyre është ende duke u zhvilluar. Por shumë hungarezë i krahasojnë këto krime me vrasjet e hungarezëve të kryera nga romët.


Vrasja e një mësuesi shkolle nga një turmë romësh më 2006, u citua madje edhe nga prokurori i çështjes si incidenti që provokoi vrasjen seriale të romëve.


Vrasja e një lojtari hendbolli më 2009 dhe përdhunimi dhe vrasja e një psikologeje të policisë më 2012, u kryen gjithashtu nga burra me origjinë rome.


Vetëm ekstremistët më të dhunshëm e thonë hapur, por në njëfarë mënyre, në këtë debat po përdoret fjalia “Ata na vrasin ne dhe ne i vrasim ata”.


Kjo është një recetë për një luftë etnike të shpejtë. Por vetë përvoja e tyre mund t’i ndihmojë hungarezët e të kuptojnë dallimin mes krimit të zakonshëm dhe krimit të urrejtjes si p.sh. kur bëhet fjalë për hungarezët që sulmohen në Rumani, Sllovaki apo Serbi, vetëm sepse flasin hungarisht në rrugë.


Në të njëjtën kohë kur në SHBA nisi lëvizja “Jo në Lagjen Tonë”, një çift të rinjsh hungarez në Kluj të Rumanisë, nuk u lejuan të martohen nga regjistruesi për shkak se dhëndri guxoi të thotë “po” në hungarisht.


Autoritetet rumune aktualisht po përndjekin penalisht kryebashkiakët e rajoneve Hargita dhe Kovasna, ku hungarezët përbëjnë shumicën e popullsisë, për shkak se ata kanë valëvitur flamurin hungarez krahas atij rumun.


Në Sllovaki, 40 hungarezë etnikë që aplikuan për dyshtetësi, u dënuan nga sllokavët duke ia hequr nënshtetësinë sllovake. Mungesa e tolerancës është e gjallë në Europën Qendrore, por mua më duket se hungarezët janë të prirur të besojnë te të qenët patricë.


Ka edhe shembuj pozitivë, gjithsesi. Në Hungari, ka veprime nga shoqëria, të cilat sfidojnë logjikën e ndarjes etnike. Një polic rom që ndihet i vlerësuar për profesionalizmin e tij, muzikantë që zhvillojnë koncerte bamirësie për të shëruar plagët e hapura nga marshi i ekstremit të djathtë, nëna e psikologes së policisë që u vra bën thirrje publike për qetësi.


“Askush nuk po ju thotë se nuk ka kriminelë mes romëve”. thotë Gyorgy Makula, një zyrtar i lartë i policisë dhe që është vetë rom. “Por ju lutem, mos harroni se ka shumë prej tyre që nuk janë, të cilët me të vërtetë vuajnë nga paragjykimet që ekzistojnë në shoqëri.


Pesëdhjetë e shtatë krime urrejtjeje u raportuan në Hungari më 2011, në krahasim me 55 mijë në Britaninë e Madhe. Ose Hungaria është një ishull tolerance… ose mund të jetë një problem përqasjeje.


 


Shumë njerëz nuk janë të njohur me konceptin e krimit të urrejtjes – idenë e vënies nën shënjestër të njerëzve për shkak të ngjyrës së lëkurës, besimit fetar apo orientimit seksual. Shumë nuk shohin ndonjë dallim nga llojet e tjera të krimit