Kreu i PDIU-së e cilëson në Këshillin Kombëtar rezolutën, si kryevepër politike 


5 mandate – Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se nisur nga pesha elektorale në rritje e PDIU-së, në Parlamentin e Ardhshëm të fitojnë 4-5 mandate


Shpetim IdriziKryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar, se kjo parti nuk është as e kuqe dhe as blu, por një parti e patriotizmit pragmatist shqiptar. Sipas Idrizit, rruga e partisë që ai drejton është e qartë dhe do fokusohet në zbatim të rezolutës për çështjen çame, të cilën e quajti dhe kryeveprën politike të kësaj force. Ai nuk la pa përmendur dhe të gjitha arritjet e kësaj force politike në katër vitet e fundit, duke theksuar se të tjera arritje dhe më të rëndësishme do të vijojnë. “E nisëm atëherë kur partitë kombëtariste dukeshin demode, si një parti me një filozofi të qartë, Parti e patriotizmit pragmatist shqiptar, larg nacionalizmave folklorike, por plot vendosmëri në mbrojtje të vlerave të kombit tonë të historisë, trashëgimisë kulturore, të respektit dhe dinjitetit kombëtar. S’mund ta ngjyrosnim as me të kuqe, as me blu”, deklaroi Idrizi. Ai theksoi se kjo parti është një ekuilibër i rëndësishëm për jetën politike në Shqipëri, duke mos qenë një parti krahinore, por e të gjithë shqiptarëve dhe e çështjes kombëtare. “Ne kemi thënë sesi parti e çështjes kombëtare, në veçanti e çështjes çame, ne do të jemi gjithmonë në qeverisje, sepse s’mund të imagjinohet sesi mund të zgjidhet një çështje kombëtare, duke qenë në opozitë”, theksoi ai. Idrizi foli gjerësisht dhe për rezolutën dhe shpjegoi arsyen pse kishte qenë e udhës të futej në fuqi rezoluta e vitit 2004, sesa të miratohej një e re. “Nëse ne do insistonim për një rezolutë të re, ne do përçanim palët politike, ne do fusnim sherr të ri politik dhe do rrezikonim produktin final, vetë rezolutën. Atyre Gjinove që na akuzuan se bëmë kompromis me rezolutën, po u them po e kam bërë një kompromis, por e kam për nder që kam bërë kompromis me Rezolutën e Shoqatës Çamëria, me xhaxh Servetin që u mbajt për 9 muaj, në ndjekje penale, me 150 anëtarët e Shoqatës Çamëria”, theksoi Idrizi. Ai foli dhe për peshën elektorale të kësaj partie, duke theksuar se kjo parti pritej të përfaqësohej me pesë mandate në Parlamentin e ardhshëm. “Të gjithë e njohin dhe e dinë peshën tonë elektorale, ndaj të gjithë na janë lëshuar si piranjat për të kafshuar apo peshkuar në partinë tonë, por unë jam i bindur që ndërgjegjja jonë, jo vetëm që nuk do të na rrudhë, por siç na katërfishoi në zgjedhjet e dy viteve më parë, do të na bëjë që të shkojmë me 4-5 mandate në Parlamentin e ardhshëm”, theksoi ai.