Kuvendi miratoi me 71 vota pro ngritja e komisionit hetimor për të ashtuquajturin incident të Vjenës, ndërkohë që opozita u largua nga salla duke mos preferuar të bëhet pjesë e debateve për këtë komisioni, të cilin e kanë cilësuar të jashtëligjshëm.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 24 prill gjatë një konference të organizuar në Vjenë nga kreu i opozitës Edi Rama, ku u shënua një incident mes tij dhe diplomatit Egin Ceka.
Kjo pasoi me një deklaratë nga ana e MPJ shqiptare që e cilësoi një ngjarje të rëndë që dëmton diplomacinë tonë në arenën ndërkombëtare ‘dhunën’ e ushtruar nga Rama mbi Cekën, ndërsa opozita e ka cilësuar si qesharake këtë deklaratë. Ngjarja solli reagimin e ashpër të kryeministrit në kuvend, i cili urdhëroi menjëherë ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar kryesocialistin Rama.
Pas kësaj, grupi i PD dorëzoi të premten një kërkesë për ngritjen e një komisioni që do të hetojë lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Konferenca e Kryetarëve miraton kërkesën e PD për komision ndaj Ramës, opozita nuk merr pjesë: Është i jashtëligjshëm
Konferenca e Kryetarëve ka miratuar paraditen e sotme vetëm me votat e mazhorancës, kërkesën e PD për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me atë që është cilësuar nga ana e Ministrisë së Jashtme si incident diplomatik mes Ramës dhe Cekës në Vjenë.
Opozita nuk ka qenë e pranishme gjatë këtij votimi, ndërsa në disa deklarata për mediat përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar si tërësisht të paligjshëm këtë komision, pasi ngritja e një komisioni për këtë çështje, sipas të majtëve nuk ekziston në asnjë rregullore të kuvendit.
29 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)