30 mijë dublime – Në listat e zgjedhësve jo përfundimtare ekzistojnë 30 mijë dublime. PS-ja i ka kërkuar ministrisë heqjen e tyre
400 mijë votues – Janë konstatuar mbi 400 mijë votues që nuk janë në listat e zgjedhësve. Këto janë mundësi për të bërë zhvendosje votuesish
2 raporte – Auditët pranë KQZ-së pritet të bëjnë edhe dy raporte para publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve
Raporti – Partia Socialiste ka hartuar një raport për organizmat ndërkombëtarë mbi anomalinë në hartimin e listave
Shqetësimi i dublimeve dhe zgjedhësve pa adresë, alarm për manipulim
BLEDAR HOTI
Kur mbetet dhe afro dy muaj nga data e zgjedhjeve, Partia Socialiste, veç betejës për çështjen e kompozimit të KQZ-së, ka si primare edhe çështjen e listave të zgjedhësve. Sipas burimeve pranë PS-së, mësohet se në mënyrë permanente raporton te faktori ndërkombëtar në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku në fokus mbetet hartimi i listave nga ana e Ministrisë së Brendshme. Mësohet se një raport mbi konstatimet e hasura nga ekspertët e PS-së, si dhe nga auditët e KQZ-së, u është paraqitur ndërkombëtarëve, të cilët ndjekin nga afër mënyrën e përgatitjes së procesit zgjedhor, nga të gjitha mekanizmat, ku mbi të gjitha vëmendje i kushtohet rolit të ekzekutivit. Shqetësimi kryesor mbetet për 400 mijë e ca zgjedhës që nuk kanë adresë në listat e zgjedhësve, si dhe 30 mijë dublimet e konstatuara, për të cilat Ministria e Brendshme ende nuk ka nisur procedurën për t’i pastruar. PS-ja i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme për pastrimin e tyre, por ende nuk ka asnjë veprim konkret. KQZ-ja pritet që të zhvillojë edhe dy mbledhje të fundit përpara shpalljes përfundimtare të listës së zgjedhësve. Në këto dy mbledhje pritet që të raportojnë dy auditët Dashamir Çali dhe Genti Malko. Eksperti zgjedhor i PS-së, Bledar Çuçi, theksoi dy ditë më parë, në një prononcim për “Shqip”, se situata me listat e zgjedhësve ishte shqetësuese, për shkak të mosndërhyrjes së Ministrisë së Brendshme për t’i pastruar ato. Sipas Çuçit, numri i dublimeve nëpër lista vijonte të ishte i lartë me rreth 30 mijë rekorde të dubluara. “Ministria e Brendshme nuk ka marrë masat për të pastruar emrat e personave që gjenden të dubluar nëpër lista, sipas propozimeve tona, ku për secilin rast të ketë verifikim përmes kartave të identitetit”, theksoi Çuçi. Por, nga ana tjetër, ai theksoi se problem më i madh akoma është ai i 400 mijë zgjedhësve, të cilëve nuk u është regjistruar vendi i banimit. Çuçi thekson se në këtë rast qeveria përgjegjëse për këtë proces, po shkel edhe rekomandimet e ODIHR-it të bëra në vitet 2009 dhe 2011 për sa u përket standardeve që duhet të kenë listat e zgjedhjeve. Ndërsa demokratët, për çështjen e 400 mijë zgjedhësve pa adresë, kanë si kartë mbrojtëse faktin se një fenomen i tillë ka ekzistuar, pasi në kohën kur qeveriste PS-ja, ekzistonin 1 milion zgjedhës pa adresë.