LULZIM HOXHA


U bë disa ditë që nëpër rrjetet sociale qarkullojnë disa perceptime sipas të cilave marrëveshja Kosovë-Serbi në fakt ka favorizuar vetëm palën serbe dhe se territorin kosovar të Mitrovicës së Veriut qeveritarët kosovarë ia shitën Serbisë padrejtësisht. Këto perceptime të përhapura fillimisht nga përkrahësit e opozitës së Kosovës, veçanërisht atyre të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë filluar të mbështeten në masë edhe brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pa i dalë në mbrojtje kryeministrit Thaçi (i cili nuk është se është shquar ndonjëherë për burrë të mirë gjatë viteve të tij në pushtet) dhe çështjes politike se kush doli më i fituar, synimi i këtij shkrimi është të shqyrtojë arsyet se nga rrjedhin këto perceptime mbi tradhtinë që i qenka bërë kombit shqiptar.


Arsyetimi kryesor i tyre mbështetet në faktin se territori i Mitrovicës gjendet brenda kufijve të shtetit të Kosovës dhe se popullsia serbe e instaluar atje i ka zaptuar padrejtësisht tokat e shqiptarëve. Arsyetimi që mbron këtë pikëpamje është argumenti historik, pra Mitrovica e Veriut ka qenë historikisht tokë shqiptare përpara se serbët ta shpërngulnin popullsinë vendase jashtë trojeve të tyre, duke favorizuar një migrim të popullsisë serbe në këtë zonë. Thënë ndryshe: pavarësisht se popullsia e kësaj zone ka një shumicë serbe, shqiptarët e Kosovës kanë qenë të parët që e kanë populluar, kështu që automatikisht kjo e bën Mitrovicën e Veriut një territor që duhet lënë nën administrimin e shqiptarëve dhe jo të “strukturave ilegale” serbe.


Po të mbështetemi në parimin “kush e zuri i pari territorin”, në të njëjtën logjikë do të dilnim në përfundimin se palestinezët nuk kanë asnjë të drejtë historike që të qëndrojnë në territoret ku gjenden sot, meqenëse ato kanë qenë të banuara më parë nga izraelitët, të cilët na paskan të drejtën legjitime dhe janë të vetmit që kanë të drejtën e banimit në një territor që ka qenë historikisht i tyre. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë se edhe pretendimet e palës serbe të tezës “na vodhën territorin tonë” mbështeten po kështu në “të vërteta historike”, të cilat sipas tyre vërtetohen nga kryengritja e Fushë-Kosovës në vitin 1389, në të cilën serbët luftonin për mbrojtjen e territorit të Kosovës asokohe kundër pushtuesve osmanë. Në të dyja rastet, pra si në argumentin e palës kosovare edhe atij të palës serbe, faktet historike pas krijimit të identitetit kombëtar kanë fituar domethënie politike. Duke i bërë apel “së shkuarës heroike” Serbia mëton të ngrejë pretendime kombëtare për një territor, në një kohë kur kombi serb ende nuk ishte ndërtuar, ashtu sikurse edhe pala kosovare duke neglizhuar të drejtën civike (shumicës serbe në këtë territor) i referohet përsëri një të vërtete historike për të dalë në përfundime të tilla si “Thaçi është tradhtar” apo “e shitët vendin”. Kur thuhet se “Hashimi e shiti Veriun”, perceptimi mbi Veriun si një tokë që u përket shqiptarëve prej gjakut dhe prej një të vërtete historike si tokë që është VETËM e shqiptarëve, atëherë kjo nuk është gjë tjetër veçse një interpretim primordialist mbi historinë, i cili ka ndihmuar dhe legjitimuar shovinizmin shtetëror dhe etno-nacionalizmin ku “toka e mishit dhe e gjakut ku kanë luftuar të parët tanë” kthehet në një bashkësi monolitike, ku tjetri është për nga natyra i përjashtuar nga bashkësia. Për ironi, interpretimi primordialist mbi historinë është shfaqur nga Serbia në kohën e luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, ku territoret e dikurshme jugosllave po shkëputeshin padrejtësisht nga “shteti mëmë”, apo po t’i referohemi simbolikës te filmi “Underground” i Emir Kusturicës, “vëllait të madh po i rrëmbenin vëllezërit e vegjël”. Po të provojmë ta shohim këtë punën e faljes së territorit që Kosova i paska bërë shtetit serb nën një pikëpamje objektive dhe pa u përfshirë nga emocionet kombëtare, i bie që jo vetëm autonomia e Kosovës në vitin 1974 na qenka falur nga serbët, territori shqiptar pas vitit 1912 është falur nga perandoria osmane, shqiptarëve si popullsi autoktone me prejardhje nga pellazgët duhet t’u takonin të gjitha territoret e Ballkanit, por i gjithë gadishulli dhe bashkë me të e gjithë Europa na qenkan një mori vendesh bamirëse që vetëm falin dhe ku asnjë shtet nuk e paska të rrënjosur brenda vetes atdhedashurinë për “tokën e premtuar”. Kjo pikëpamje nacional-shoviniste në vend që ta bashkojë spektrin politik të Kosovës, rigjallëron mite të së shkuarës të cilat janë përdorur mizorisht kundër vetë popullsisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë. Duke etiketuar “tjetrin” te serbët barbarë dhe të pamëshirshëm, në fakt nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim formë predikatit ideologjik që i çoi serbët kundrejt spastrimit etnik të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, rikthehemi përsëri tek “fantazma e Ballkanit” të Kaplanit, koncept i cili ka etiketuar politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit këto dy shekujt e fundit, si një rajon ku vetja dhe tjetri mund të ekzistojnë vetëm nën një marrëdhënie antagoniste dhe ku perëndimorët janë misionarët civilizues në rolin e arbitrit që u vendos rregulla barbarëve të pabindur.