majlinda breguMinistrja e Integrimit, Majlinda Bregu i është rikthyer akuzave se kreu i opozitës Edi Rama, po mban peng integrimin e vendit. Në një dalje publike, Bregu deklaroi se Rama ka pasur vetëm një impenjim: bllokimin e 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës europiane të të gjithë shqiptarëve.


“Në çdo seancë parlamentare, të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje “Jo” kërkesës së përhershme të maxhorancës, për t’i votuar 3 ligjet. Sot qytetarët shqiptarë kanë 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo ditë e bllokimit të statusit kandidat është një arsye më shumë për të mos e votuar Edi Ramën.


Çdo gënjeshtër, manovër politike gjasme evropiane, alibi pa sens e shpesh kontradiktore, është një arsye më shumë që shqiptarët të mos votojnë Edi Ramën. Për 200 ditë bashkë me statusin Edi Rama u ka mohuar qytetarëve dhjetëra milionë euro fonde të Bashkimit Europian. Vazhdon t’u mohojë shqiptarëve dhjetëra-mijëra vende pune që lidhen me integrimin e vendit në BE. Vazhdon t’u mohojë të rinjve mundësi studimit, kualifikimit dhe karriere profesionale në vendet më të mira europiane. Sot është më e qartë se kurrë se bllokimi i Ramës nuk lidhet as me moralin e as me thelbin e këtyre tre ligjeve.Bllokimi është politika e vetme e tij, është qëllimi i tij i vetëm elektoral. Zvarriti e bllokoi në mënyrën më cinike tre ligjet, sepse kështu mendon se fiton vetë”, akuzoi Bregu.


Sipas saj, Rama kërkon vetëm pushtetin e tij, ndërkohë që shprehu bindjen se shqiptarët kërkojnë integrimin dhe 23 qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit. “Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për anëtarësimin e Shqipërisë, në BE, ashtu siç e meritojmë. Kemi ecur në rrugën e duhur, duke përmbushur çdo ditë detyrimet e reformat që kërkon ky proces. Dhe nuk do të ndalemi. 23 qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit. Blloku që Rama u ngriti shqiptarëve, do t’í bjerë kokës, atij vetë, më 23 qershor”, përfundoi Bregu.


29 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)