Franc Bekenbauer, “Kaizeri” gjerman, beson se klubi katalanas nuk është dorëzuar ende në përballjen e raundit gjysmëfinal të Champions League kundër Bajernit, pavarësisht humbjes së thellë 4-0 në “Allianz Arena”. Në rolin e presidentit të nderit të bavarezëve, paralajmëron skuadrën se Barcelona do t’i përdorë të gjitha truket e mundshme për të zhvleftësuar pokerin 4-0 të ndeshjes së parë. Duke folur për gazetën gjermane “Bild”, legjenda e futbollit gjerman tha se “skuadra e Tito Vilanovës do të përpiqet për një mrekulli, sepse ata janë plagosur në krenarinë e tyre. Barcelona nuk do të heqë dorë. Ata do të përpiqen të marrin më të mirën e tyre, për ta zhvleftësuar humbjen 4-0 në gjysmëfinalen e parë. Për t’ia arritur kësaj, ata do të përdorin çdo truk që ekziston në botë. Do të përpiqen që të fitojnë duelet individuale përballë lojës në bllok të Bajernit”.