hilmiu me femijet e hekuranit“Blerja e gjakut”, Hilmi Deda duhet t’i paguajë Fatos Skejës 10 milionë lekë. Më parë u dënua Zabit Deda


Sokol Çobo


Pjesëmarrja në demonstratën e 21 janarit 2011 u ka ndryshuar tërësisht jetën familjes Deda. Hekurani u vra barbarisht në mes të bulevardit, me të vetmin faj që po shikonte nga Kryeministria. Ai u qëllua me një plumb tejshpues në kokë, megjithëse ishte “fshehur” pas një peme. Njerëzit e afërt me kryeministrin, sipas vëllezërve të tij, Zabitit dhe Hilmiut, kishin tentuar të blinin gjakun, vetëm e vetëm që eprori i tyre të shkonte për një ngushëllim.


Refuzimi i një kërkese të tillë solli reagimin e ashpër ndaj kësaj familje, e cila, pasi u vra, u sakatos, u përndoq, tashmë dy pjesëtarët e saj janë dënuar nga gjykata. Madje, gjatë kësaj kohe, babai i Hekuranit, Dini, ka ndërruar jetë. Ai mbylli sytë përgjithmonë pa mësuar se vrasësi i të birit është dënuar dhe ka marrë ndëshkimin e merituar.


Gjobë Hilmi Dedës


Gjykata e Tiranës ka dënuar dje Hilmi Dedën, i cili duhet t’i paguajë Fatos Skejës një shumë prej 10 milionë lekësh të reja. Gjyqtarja Elona Stavri e gjeti fajtor Dedën për një deklaratë publike që kë bërë kundër Skejës, të cilin e akuzonte se një ditë pas vrasjes, kishte shkuar në banesën e tyre dhe u kishte premtuar fotografinë e vrasësit. Kjo çështje shkoi edhe në Prokurorinë e Tiranës, dosje e cila u pushua më pas, me argumentimin se “nuk ka vepër penale”. Ata e akuzonin për moskallëzim krimi.


Hilmi DedaPor Skeja iu kundërpërgjigj vëllezërve të Hekuran Dedës, duke bërë një kërkesëpadi civile në Gjykatën e Tiranës. Vetë deklaratat për të cilat Skeja kërkoi dëmshpërblim nga Hilmi Deda, janë artikuluar në një prononcim për një televizion privat. “Ne pritëm të na bjerë fotografinë që na pati premtuar Fatos Skeja, vrasësin që ka qëlluar mbi vëllain tonë. Ne pritëm një vit dhe nuk e prunë”, ka deklaruar Hilmi Deda. Në vijim të prononcimit të tij, Hilmi Deda ka shtuar se “më 23 janar 2011, në orën 11:30 të natës, na erdhi në shtëpi, piu edhe kafe. La edhe një 10 mijë lekësh. Pasi doli në rrugë kërkoi të bisedonte me mua dhe me vëllain e madh. Ishte dhe vëllai i vogël aty. Na premtoi një shumë parash: ‘Prisni Berishën. Pranoni Kryeministrin, pasi keni një shumë parash, që i kam mbajtur në valixhe dhe do ju tregoj fotografinë që ka qëlluar mbi Hekuranin’”. Megjithatë, gjykata e ka gjetur fajtor për këtë deklaratë, duke e dënuar me 10 milionë lekë të vjetra.


 


Dënohet Zabit Deda


Më parë, edhe Zabit Deda, vëllai i një prej viktimave të 21 janarit, Hekuran Deda, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje ndaj gardistit Fatos Skeja. Deda duhet të paguajë një gjobë prej 2.5 milionë lekësh ndaj Skejës, pasi, sipas gjykatës, kishte “shpifur” për një takim mes familjes së tij me gardistin. Ky i fundit i kishte kërkuar të prisnin për ngushëllim Kryeministrin pas ngjarjeve të 21 janarit, madje i ka premtuar emrin dhe foton e vrasësit, marrëveshje e cila nuk është pranuar nga familja. Për gardistin Skeja, deklaratat e familjes Deda nuk janë gjë tjetër veçse shpifje, ndaj ka vendosur të ndjekë rrugën gjyqësore. Sipas vendimit të gjykatës, pala paditëse Fatos Skeja pretendoi se i është shkaktuar një dëm jopasuror si rrjedhim i përdorimit të shprehjeve që cenojnë nderin dhe personalitetin e tij, në deklarimet e të paditurit Zabit Deda në një intervistë televizive më 18 janar 2012. I padituri është shprehur në deklarimin e tij publik se “Fatos Skeja më ofroi para dhe fotografinë e vrasësit, në një takim që ai ka pasur me atë që e cilëson si të dërguarin e kryeministrit Sali Berisha, tri ditë pas vrasjeve. Ky person që e njihte dhe vetë Hekuranin, sipas Zabit Dedës ka qenë Fatos Skeja. Sipas tij, Skeja ka kërkuar nga familja Deda që ata të pranonin Berishën për një kafe ngushëllimi në shtëpi, në këmbim që ai t’i tregonte se kush ishte vrasësi, duke i premtuar njëherësh ndihmë ekonomike. Gjatë hetimit gjyqësor, pala e paditur nuk paraqiti ndonjë provë në mbështetje të pretendimeve të saj. Gjykata konstaton se deklarimet e mësipërme të të paditurit u gjendën të pambështetura në prova dhe përbëjnë fakte që cenojnë nderin dhe personalitetin e paditësit”, thuhej në vendimin për Zabitin.