Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u takua mbrëmjen e së martës me qytetarët të njësisë bashkiake numër një në kryeqytet. Rama ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e komunikimit me politikën nëpërmjet këndeve që Partia Socialiste do të ngrejë në gjithë Tiranën. Kreu i opozitës theksoi se është i gatshëm për t’u përgjigjur të gjitha pyetjeve të qytetarëve, madje me humor ka ftuar cilindo që kishte dëshirë të vinte t’i shkulte veshin.
“Do i përgjigjesha pyetjeve tuaja dhe interesave, nëse ndonjëri do të më shkuli veshin e kam seriozisht le të vijë ta bëjë”, tha Rama ndërsa më pas një vajzë e vogël i është afruar dhe i ka shkulur veshin.
Kryesocialisti u ndal më pas tek programi i opozitës për qeverisjen e vendit, duke e cilësuar atë si programin më të detajuar që ka pasur ndonjëherë një forcë politike në Shqipëri në 20 vite pluralizëm. “Sot kemi programin më të detajuar të një partie në këto 20 vite. Është një kontratë që do ua vëmë përpara shqiptarëve, që me votën e tyre të realizojmë gjithçka është shkruar në programin tonë të rilindjes. Sot na ndajnë edhe 53 ditë nga 23 qershori”, tha Rama. Ai ka ftuar edhe anëtarët e PD që të votojnë për opozitën me qëllim që të shpëtojnë Partinë Demokratike.
“Demokratët të shpëtojnë PD duke kaluar me opozitën. PD të kalojë në një proces rikthimi në identitet. Është një parti që lindi nga ëndrrat dhe shpresat, sot e katandisur në parti familjare, që kalon përmes abuzimit të pafund dhe korrupsionit. Ndërkohë që çdo prind e ka një arsye madhore të marrë pjesë në votim, të marrë hak për 8 vite qeverisje që 57% e 15 vjeçarëve janë analfabetë funksionalë. Asnjë votë nuk duhet t’i jepet një qeverie të tillë”,-tha Rama.
Kryesocialisti ka ironizuar më tej kryeministrin Berisha duke deklaruar se përsërit programin e socialistëve në lidhje me taksat.
“Do ta heqim taksën e biznesit të vogël, ju sot paguani dyfish, do ulim në mënyrë drastike tatimfitimin, shifeni kur të dalë e të thotë të njëjta gjëra, por s’ka gjë se njerëzit këtë radhë do votojnë për origjinalin, jo për kopjen. Do ketë vetëm një administratë të unifikuar tatimore. Prova e qeverisë dhe qeverisjes është ajo që tregon se sa dhe si do ti mbajmë këto zotime, Nuk premtojmë ato që s’bëjmë dot”, tha Rama.
30 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)