Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dërguar sot një letër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe ministrit të Brendshëm, Flamur Noka ku i ka kërkuar të hiqet dorë nga mbajtja nën vëzhgim e ish-të përndjekurit Skënder Tufa.
“Ndonëse nga DPQ Tiranë dhe më vonë edhe nga ju nuk pranohet fakti që shtetasit Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri janë mbajtur në vëzhgim nga strukturat e DPQ Tiranë apo të Policisë së Shtetit, ju bëmë të ditur se pretendimet e ankuesit për mbajtjen e tij në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, ishin provuar në tre raste nga stafi i Avokatit i Popullit, ndërsa në njërin prej këtyre rasteve edhe personalisht nga vetë Avokati i Popullit.
Ky rast ka ndodhur në datën 01.03.2013, në momentin që ankuesi dhe dy shokët e tij ishin paraqitur në institucionin tonë për të bërë ankesë për këtë shqetësim. Nga verifikimi i bërë në këtë rast rezultoi se ata mbaheshin në vëzhgim nga dy punonjës të policisë kriminale, të cilët u identifikuan me saktësi nga ana jonë. Avokati i Popullit dhe stafi i tij komunikuan drejtpërdrejtë me të dy punonjësit e policisë, të cilët ndërmjet të tjerave pranuan se ishin ngarkuar nga eprorët e tyre me detyrën e vëzhgimit të ankuesit në mënyrë të hapur gjatë 24 orëve”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit.
Më tej në letër theksohet se mbajtja në vëzhgim të hapur dhe në mënyrë të vazhdueshme e këtyre shtetasve është e kundërligjshme. Këto veprime të kryera nga punonjësit e policisë vijnë në kundërshtim edhe me Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut, sipas Avokatit të Popullit. “Nga hetimi administrativ i këtij rasti arritëm në konkluzionin se këto veprime policore ndaj ankuesit Skënder Tufa dhe shtetasve të tjerë të përmendur më sipër janë të kundërligjshme dhe kanë si qëllim ushtrimin e një presioni fizik e psikologjik ndaj tyre nga strukturat shtetërore me qëllim që ata të heqin dorë nga veprimet reaguese e kritike ndaj Qeverisë për pakënaqësitë që kanë për mos zbatimin prej saj të të drejtave të tyre të parashikuara në aktet normative për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik”, thuhet më tej në deklaratë.
Avokati i Popullit ndër të tjera rekomandon: Marrjen e masave të menjëhershme për ndërprerjen e veprimeve të kundërligjshme të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, për shoqërimin herë pas here në polici dhe mbajtjen në vëzhgim të shtetasve Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipe dhe Besim Valeri.
Shqyrtimin dhe analizimin me seriozitet dhe objektivitet të këtij rasti, fillimin e ecurisë disiplinore dhe dhënien e masave disiplinore ndaj punonjësve të policisë që kanë urdhëruar vëzhgimin e shtetasit Skënder Tufa.
Përgjithësimin e këtij rasti me qëllim mos përsëritjen nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të ardhmen.
“Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, na vini në dijeni brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, të parashikuar në nenin 22 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”përfundon letra.
1 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)