RAMADAN RAMADANI
Prej gjërave të pakta të mira që shënuan zgjedhjet e kaluara ishin dorëheqjet. Duke marrë parasysh sesa rrallë në Maqedoni, përgjatë tërë viteve, kishte tituj që përbëjnë në vete fjalën dorëheqje, ky shpeshtim i tanishëm ishte freski e vërtetë. Kishte dorëheqje të ministrave dhe deputetëve për kandidim si kryetarë të komunave. Disa prej tyre edhe fituan, ndoshta edhe shkaku i mu këtyre dorëheqjeve. Kurse edhe ata që nuk fituan, tani në garën politike sigurisht do të kenë dobi të madhe në të ardhmen, pasi kanë fituar shumë në garën karizmatike, duke verifikuar legjitimitetin e tyre me zgjedhje, por edhe duke pranuar këtë verifikim si një akt të kryer. Dorëheqje dha edhe kryetari i Gjykatës Administrative, institucion ky i cili ishte më i uzurpuari gjatë këtyre zgjedhjeve dhe vetëm me këtë dorëheqje ai ia arriti ta vërë në spikamë këtë fakt.
Kryesisht dorëheqjet u përshëndetën dhe nga dy arsye: e para se njerëzit i kishte marrë malli që dikush të verifikojë me dorëheqje institucionet dhe përfaqësimin, por edhe për vetë faktin se dorëheqjet ishin të rralla këtu në këtë politikë. Ashtu ato të pakta që bëhen thjesht përshëndeten, me shpresë se do të shtohen.
Kur dikush si puna ime mbetet që i fundit të shkruajë mbi këtë çështje, rrezikon që të mos i mbetet gjë për të thënë, pasi për këtë gjë tani më është shkruar shumë në opinion dhe tema është trajtuar nga të gjitha aspektet. Por, nëse i marrim këto dorëheqje vetëm si shkas, do të mund të vështrojmë disa procese që ndodhin te politika në Maqedoni, por edhe të nënvizojmë disa dukuri që shohim se na përsëriten.
Përveç Branko Cërvenkovskit, liderit të partisë opozitare, gjithë dorëheqjet e tjera ishin nga shqiptarë. Kështu, shqiptarët janë ata që me këto dorëheqje instalojnë përgjegjësinë politike para votuesve, por edhe të institucioneve si në rastin e Gjykatës Administrative. Edhe me këto akte të dorëheqjeve, shqiptarët mbeten avangarda politike në Maqedoni dhe në shumë raste të vetmit këtu që verifikojnë thelbin e shtetbërjes: drejtësinë dhe përgjegjësinë.
Pasi që, sidomos dorëheqja e deputetit më të vyeshëm të Kuvendit, z. Izet Zeqiri u mbulua edhe në pjesën e opinionit në maqedonisht, ajo pati efektin e vet dhe filluan pyetjet për atë se pse raste të ngjashme nga politikanë maqedonas nuk japin dorëheqje. Pyetje këto që po vazhduan të artikulohen do të mund t’i shpijnë maqedonasit tek e vërteta e hidhur se qenësia e tyre është e lidhur shumë me shtetin dhe kur ata heshtin ose përkrahin edhe kur ky shtet është i padrejtë, kjo gjë i bën dëm edhe shtetit, por edhe vetë qenësisë së tyre kombëtare.
Por, derti i tyre, çareja e tyre, kurse shqiptarët kanë të tjera derte për të cilat ende nuk gjejnë edhe aq çare dhe zgjidhje. Kjo, pasi në mbarë politikën shqiptare, në tre e kusur shtete ku shqiptarët bëjnë politikë, qasja më interesante ndaj shtetit është m’u në Maqedoni.
Ashtu në Kosovë ka narrativa, vizione, opsione dhe parti politike që ekzistojnë prej para se të jetë Kosova shtet. Një politikan aty do të mund të zgjedhë partinë apo vizionin në vend të shtetit. Kjo dilemë nuk ekziston në Shqipëri, ku trungu është shteti e në fakt edhe në Kosovë edhe në Shqipëri dhe kudo trungu është populli. Por atje ai popull e ka bërë Shqipërinë dhe brenda asaj Shqipërie nuk ka dilemë për lëvizjet politike, pasi edhe po zgjodhe shtetin edhe po zgjodhe partinë, mund të kesh zgjedhur të jesh me popullin.
Por këto dilema janë shumë interesante për t’u vështruar këtu te ne në Maqedoni. Këtu politikanët shumë lehtë prej popullit katapultohen në parti, por kur prej aty shkojnë me shtetin, atëherë paraqiten probleme; kjo sepse këtu ka disa popuj dhe shteti, që në parim duhet të jetë i gjithkujt dhe i askujt, në praktikë është i një kallaballëku që shpesh guxon edhe të jetë armiqësor ndaj popullit nga i cili ka shkuar ai ose ajo politikane shqiptare. Nëse kësaj ia shtojmë edhe mundësinë për largim edhe të partisë nga populli, atëherë problemi i atij politikani është bërë me shumë të panjohura. Zakonisht këta janë njerëz të zgjuar dhe që në kontaktin e parë me këtë shtet e kuptojnë konstatimin hamletian, “diçka është e kalbur në mbretërinë daneze”. Kjo i bën disa që të dinë si të veprojnë kur kanë aso dilema hamletiane; të jesh apo të mos jesh, kështu që kur hyjnë në shtet dëshirojnë të marrin me vete së paku partinë e tyre. Atëherë u mbetet o të dinë partinë për popull, o të vazhdojnë të mbajnë partinë me dhe afër popullit.
Në teori, kur dikush ka brengën e përfaqësimit dhe e di se ajo është baza e legjitimitetit në politikë, kryesisht ekzistojnë këto zgjidhje. Por arritja deri te këto zgjidhje vështirësohet në rrethana të ndërlikuara dhe tejet sfiduese të Maqedonisë, që me kompleksivitetin e vet kapërcejnë shumëfish kapacitetin edhe të njerëzve të zgjuar si politikanët tonë.
Ashtu prej kësaj dileme hamletiane shohim se disa bëhen fausta, por pa ndonjë mefisto, dhe kur shiten nuk dinë se për kë dhe për çka janë shitur. Kurse shumica përfundojnë duke shikuar gajlen dhe punën e vet, edhe pse në definicion ata ishin nisur në një rrugëtim që parashihte se ata do të merreshin me punët dhe brengat edhe të ne të tjerëve.
Kjo do të mbetet kështu deri atëherë kur shqiptarët do të kenë vizionin e tyre të tërësishëm për Maqedoninë dhe vazhdimisht do t’i trajtojnë edhe politikisht çështjet sipas asaj se si do të duhej të ishte e jo sipas asaj se si do të mund të ishte. Jo kështu kur oferta dhe zgjidhja e vetme të jetë që të ishin disa të tjerë të njëjtë, me këta qeverisës privatë aktualë.