Mijëra të dhëna u fshinë, ndërsa ishulli ndoqi fatin e Greqisë në rrugën drejt krizës
Një ditë tetorin e kaluar, një kartë memorieje që përmbante një program të posaçëm për fshirjen e të dhënave, u vendos në një kompjuter te Banka e Qipros. Brenda pak minutash, 28 mijë dokumente u fshinë, sipas hetuesve që kërkuan një kopje të të dhënave për një raport zyrtar mbi kolapsin e sistemit bankat të Qipros.
Dokumentet e fshira përfshinin e-mail-e të dërguara dhe të marra në një periudhë kyçe vonë në vitin 2009 dhe në fillim të vitit 2010, kur Banka e Qipros, banka më e madhe në ishull, shpenzoi miliarda euro në blerjen e bondeve greke në një kohë kur të tjerët po i hiqnin qafe.
Këto bonde greke humbën shumicën e vlerës së tyre vitin e kaluar gjë që solli edhe zhytjen në krizë të bankave të Qipros. Kur bankat i kërkuan ndihmë qeverisë së Qipros, kjo e fundit u dorëzua dhe kërkoi ndihmë nga kreditorët ndërkombëtarë.
Tashmë njerëzit në këtë republikë të vogël të eurozonës kanë humbur para dhe përballen me shumë vite krizë ekonomike. Ata dëshirojnë të dinë se kush vendosi të hedhë depozitat e tyre në llogaritë e një vendi që po shkonte drejt falimentimit. Por përgjigjet janë zhgënjyese dhe fshirja misterioze e të dhënave nga Banka e Qipros e ka bërë edhe më të vështirë gjetjen e të vërtetës.
Ka pasur spekulime publike mbi marrëveshje diplomatike të fshehta apo solidaritet të tepruar të bankierëve qipriotë me grekët. Por drejtorët ekzekutivë të bankave të falimentuara këmbëngulin se blerja e bondeve greke dukej një investim i mirë në atë kohë, megjithëse ky vlerësim është shumë i ndryshëm nga ajo çfarë patën vendosur shumica e bankierëve të kontinentit, të cilët u përpoqën të shesin sa më shumë dhe sa më shpejt bondet greke. Një raport konfidencial i përgatitur nga dy konsulentë, tregon se bankat e Qipros qenë të gatshme pas vitit 2009 të investojnë në tituj borxhesh me rrezik të lartë dhe me premtim për norma kthimi të larta, në mënyrë që të kompensonin humbjet nga rritja e kredive të këqija.
Në dhjetor 2009, menaxherët deklaruan se shumica e bondeve greke qenë shitur, por nuk i patën thënë se në të njëjtin moment, ato kishin blerë edhe më shumë bonde nga sa kishin pasur më parë.
Më 10 dhjetor 2009, menaxheri i përgjithshëm i Bankës së Qipros i deklaroi medias se e ka ulur sasinë e bondeve greke në posedimin e bankës së tij nga 1.8 miliardë në 0.1 miliardë.
Por në të njëjtën ditë, një drejtor tjetër i bankës pati porositur blerjen e 150 milionë eurove bonde dhe deri në fund të muajit, blerjet arritën në 400 milionë. Nga prilli 2010, bondet greke nën pronësinë e bankës qenë rritur në 2.4 miliardë. Pas kësaj filloi edhe manipulimi i bilancit. Banka transferoi 1.6 miliardë euro bonde greke nga llogaritë e tregtueshme te llogaria e mbajtjes deri në fund të maturitetit, gjë që do të thoshte se banka nuk kishte nevojë të raportonte në bilanc vlerën e ditës të këtyre titujve dhe rrjedhimisht, fshehu humbjet e pësuara. Vitin e kaluar, 80 për qind e vlerës së bondeve greke u fshi, gjë që shkaktoi humbje me vlerë 1.8 miliardë euro për Bankën e Qipros.