Tefta ÇavoTefta Çavo, një nga pionieret e artit vokal lirik në Shqipëri është ndarë nga jeta dy ditë më parë. Ajo u lind më 20 shtator të vitit 1929 në Boboshticë të Korçës në një familje me tradita kulturore e patriotike. Aktivitetin artistik Tefta Çavo e fillon në Korçë me grupet amatore të Radio Korçës dhe më pas, në vitin 1950 fillon punën si koriste në Filarmoninë Shqiptare. Me një formim autodidakt, ajo emërohet soliste lirike në TOB. Në vitin 1954, me rekomandim të profesorit të kantos Mihal Ciko (Artist i Merituar) dhe më pas merr privatisht mësime teorike nga K. Trako dhe njohuri kantoje me pedagogen ruse N. Kuklina. Kjo është edhe periudha e aktivizimit të saj në aktivitete të rëndësishme kombëtare si: Festivalet e Rinisë në Berlin (1951) dhe në Varshavë (1955). Në skenën e TOB-it, Tefta Çavo, ka realizuar me mjaft sukses disa role të operave shqiptare dhe botërore. Por, nga ana tjetër, repertori i saj ka qenë mjaft i pasur dhe i larmishëm me pjesë të tjera koncertore, si arie, romanca, pjesë koncertale, këngë popullore etj. Tefta Çavo është nderuar shpesh me çmime vlerësime dhe dekorata të shumta. Ndër rolet më të spikatura janë: Vanja (Opera Ivan Suzanji) 1954, Hata nga opera “Nusja e Shitur” 1956, Marta nga opera “Jolanda” 1957, Mama Luçia nga opera “Cavaleria Rusticana” 1958, Dado-Olga nga opera “Eugeni Oniegin” 1959 etj.