KQZ
Bylykbashi: Mund të vendosë Kolegji. PS të dërgojë emrat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vihet në provën e marrjes së vendimeve me 5 vota të cilësuara. Mësohet se prova e parë është ajo për caktimin e vendit se ku do të ngrihen VNV-të. Sipas Kodit Zgjedhor, brenda 60 ditëve, prefektët duhet të paraqesin listat me vendet ku parashikohet ngritja e VNV-ve, ndërsa brenda 40 ditëve nga dita e zgjedhjeve, KQZ-ja duhet t’i miratojë ato. Pra brenda 14 majit, KQZ-ja duhet të marrë një vendim me pesë vota për një çështje të tillë. Por aktualisht KQZ-ja po merret dhe me vendimin për heqjen apo zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ-ve. Mënyra e këtij vendimi është e interpretueshme, pasi ai mund të merret dhe me 5 vota pro. Eksperti i PD-së për zgjedhjet, këshilltari i Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi, në një deklaratë për median tha se Kodi i ka parashikuar rastet se si veprohet kur mungojnë anëtarët e KQZ-së. Ai e hodhi poshtë idenë për një balancim të KQZ-së sipas formulës, 3 opozita, 3 mazhoranca dhe kryetari të zgjidhet në rrugë konsensuale mes PS-së dhe PD-së. “Ajo që thotë zoti Rama është një farsë, nuk ekziston termi i kryetarit konsensual. Konsensualiteti mund ndodhë gjatë votimit por nuk është një mekanizëm që kërkohet dhe kur kjo nuk arrihet, kalohet në një mekanizëm tjetër. Kryetarja aktuale është votuar nga Parlamenti me një procedurë të ligjshme dhe i gjithë ky debat nuk ekziston më. Në mënyrë fare të qartë Kodi, e zezë mbi të bardhë, thotë: KQZ funksionon kur ka 4 anëtarë, që votojnë, që janë të pranishëm në mbledhje pra bëjnë kuorumin dhe jo më kot e thotë këtë dhe merr vendime me 4 anëtarë. Sigurisht, kur i duhet që të ketë 5 vota do të duhen 5. Nëse kjo nuk është e mundur, zgjidhja është gjithmonë në Kolegjin Zgjedhor”, deklaroi për “AS TV”, Bylykbashi. KQZ-ja zhvilloi ndërkohë mbledhjen e radhës me katër anëtarë kur shqyrtoi rastet dhe kërkesat për vëzhgues të huaj dhe për qendrat e votimit që parashikohet të ngrihen në ambiente private. Kryekomisionerja Lefterije Lleshi tha se afati i fundit i depozitimit të listave të deputetëve është data 6 maj, ora 24:00. KQZ, nga 286 qendra votimi të propozuara për t’u ngritur në objekte private, miratoi 229 qendra votimi për Qarkun e Tiranës, Elbasanit, Korçës dhe Beratit. KQZ vendosi që të bëhet verifikim i mëtejshëm për 57 qendra votimi, të propozuara për t’u vendosur në ndërtesa private.