Nga Azia në Europë dhe SHBA, sindikatat organizojnë protesta me rastin e Ditës së Punëtorëve


stambolli 1 majiQindra mijë njerëz në shumë vende dolën në protesta dje, ose në manifestime, në rastet kur u organizuan nga qeveritë. Protestat më të mëdha u regjistruan në Athinë, ndërsa në Stamboll, qeveria Erdogan bllokoi trafikun për të ndaluar mbledhjen e protestuesve në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa policia rrahu shumë prej atyre që arritën të grumbullohen.


Në Greqi, një grevë e përgjithshme 24-orëshe paralizoi vendin ndërsa sindikatat bënë thirrje për mobilizim masiv të protestuesve. Trenat, anijet apo shërbimet e tjera publike u ndërprenë. Organizatorët kërkuan dhënien fund të strategjisë së reduktimit të shpenzimeve shtetërore dhe rritjes së taksave.


Në Athinë, qindra vetë protestuan para Parlamentit në sheshin “Sintagma”. Pensionisti Antonis Mosiadis tha se politikanët duhet t’i dëgjojnë njerëzit. “Lufta do të vijojë dhe vijojë. Ata janë bërë të verbër dhe nëse ne nuk do ta vijojmë këtë luftë, ata do të na shkatërrojnë”, tha ai.


Por ka shenja se protesta popullore, për të cilën Greqia është e famshme, ka humbur lustrën gjatë kohëve të fundit. Greqia ka aktualisht një normë papunësie prej 27 për qind, ndërsa mes të rinjve, më shumë se gjysma janë të papunë.


Në Moskë, historia ishte ndryshe. Së paku 70 mijë vetë dolën në Sheshin e Kuq për të manifestuar, të organizuar nga partia në pushtet.


Në Stamboll, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë protestuesit, të cilët nuk iu bindën urdhrit të qeverisë për të mos protestuar. Zyrtarët thanë se ndalimi i protestës u bë për të mbrojtur punën për rinovim që po kryhet aktualisht në sheshin “Taksim”, një pikë simbolike për protesta.


Së paku 12 njerëz mbetën të plagosur ndërsa disa protestues u arrestuan.


Mes protestuesve gjendeshin edhe një grup prej rreth 30 feministesh që valëvisnin flamuj dhe bërtisnin: “Të gjithë së bashku kundër fashizmit”. Protestuesit hodhën gurë dhe fishekzjarrë kundër policisë dhe dy policë u raportuan të plagosur. Pas një historie të dhunshme, dita e 1 Majit u rivendos si festë kombëtare në Turqi në vitin 2010, nën presion nga sindikatat. Disa nga protestuesit dje dëshironin të përkujtonin 34 njerëz që u vranë gjatë një proteste për 1 Majin në vitin 1977 kur demonstrues të paidentifikuar hapën zjarr duke shkaktuar panik.


Në Daka të Bangladeshit, protestuesit kërkuan dënimin me vdekje të pronarëve të fabrikave që ishin përgjegjës për rrëzimin e një fabrike tetëkatëshe, ngjarje ku vdiqën mbi 400 vetë. Protesta u zhvilluan edhe në 80 qytete të Spanjës.


Mbi 55 mijë vetë marshuan në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, duke protestuar ndaj pagave të ulëta.