Pa Mesin, katalanasit munden 3-0 në kthim, 7-0 në total
Altin Manallari
Nuk ka “remuntada” në “Kamp Nou”, ku Mesi qëndron në pankinë për gjithë 90 minutat dhe shikon Barcelonën të turpërohet sërish 3-0 nga Bajerni me gola të Roben e Myler dhe autogoli i Pike.
Në gjysmëfinalen e kthimit në “Kamp Nou”, katalanasit kërkonin mrekullinë pas 4 shuplakave të ndeshjes së parë në Bavari. Surprizën e parë të mbrëmjes, Barcelona e ka bërë që në momentin kur janë zbardhur formacionet: Lionel Mesi lihet në stol, duket se është jashtë forme. Tito Vilanova i beson modulin 4-3-3: Batra e Adriano të rejat e mbrojtjes, Song në vend të Buskets dhe Fabregas në rolin “alla Mesi” në sulmin përkrah Vijas dhe Pedros. Jup Heinkes kundërpërgjigjet me më të mirët e tij, të udhëhequr nga Manxhukiç, i cili mbështetej nga treshja e zakonshme Roben-Myler-Riberi.

Që në minutat e para vihen re dy skuadra të vendosura shumë lart dhe që më shumë sesa ndërtojnë, prishin lojën e njëra-tjetrës dhe topi që ndërron këmbë herë pas here sa te bluzat e azulgrana tek ato të kuqe. Barcelona ngul këmbë në stilin e saj, që duket i lexueshëm, dhe e ka të vështirë të depërtojë në mbrojtjen mike. Bavarezët janë më të rrezikshëm, luajnë shumë lart dhe provojnë të vënë në vështirësi mbrojtjen katalanase, si në rastet e Roben e Myler, që bllokohen në momentin final nga një super-Pike. Gjuajtja e parë në portë e ndeshjes vjen në minutën e 24-t me Pedron, por grushton Nojer. Rasti i parë i rrezikshëm i takon Ksavit, gjuajtja e të cilit shkon mbi traversë. Katalanasit nuk arrijnë ta gjejnë xholin për të kaluar barrierën dhe skuadra e Hejnkes nuk lë asnjë milimetër zbuluar, pasi mbrohet me 11 lojtarë (Riberi e Roben në krahë dhe Manxhukiç në qendër janë mbrojtësit e parë që rikuperojnë shumë topa). Të zotët e shtëpisë e kanë mbajtur më shumë topin, por nuk kanë krijuar shumë raste. Barcelona është thuajse jashtë dhe shansi i vetëm është të aktivizojë Mesin dhe të tentojë gjithçka. Por nuk mendon kështu Vilanova që e nis me të njëjtët lojtarë edhe 45 minutëshin e dytë. Dhe Bajerni ka pritur shumë, por nuk pret më shumë se një minutë: Roben shmang Adrianon në të majtë të zonës dhe lëshon një gjuajtje të kalibruar, që përfundon në rrjetë në cepin tjetër të portës së Valdes. Ngjan me një goditje nokauti për katalanasit, pasi me këtë rezultat u duhen 6 gola për t’u kualifikuar. Roben i shkon pranë edhe golit të dytë. Ritmi i lojës bie dhe Vilanova heq Ksavin dhe Inestën për Sançez dhe Tiago Alkantara, por Barça nuk ka më ide, nuk ka gjuajtur asnjëherë në portë. E sikur të mos mjaftonte kjo, Pike, ndër më të mirët në fushë për katalanasit deri në atë moment, shënon një autogol në portën e Valdes në minutën e 72. Por Bajern nuk ka mëshirë me ish-jashtëtokësorët e katandisur si mos më keq: Myler realizon edhe golin e 3-0 në të ‘76-n. Minutat e fundit janë vetëm makth për katalanasit. Epoka e Barcelonës mbaroi, madje turpshëm. Bajerni i shënoi 7 gola në dy ndeshje për t’i rrëmbyer dhunshëm stafetën. Duke mos e aktivizuar, Vilanova vetëm sa e shpëtoi Mesin nga kjo disfatë shkatërrimtare. Tani Europa përgatitet të shijojë një finale e gjitha gjermane në “Uembli”, Bajern Mynih-Borusia Dortmund më 25 maj.