Kryeministri, takime në Qarkun e Korçës. Përuron rrugën e Pustecit, takon dhe gratë


4 vite – Berisha, në fjalën e tij, theksoi se shqiptarët duhet të votojnë jo se çfarë bëri PD-ja në 8 vite pushtet, por se çfarë do të bëjë në 4 vitet e ardhshme


Pustec – Berisha nuk i kurseu lavdet ndaj aleatit të tij politik, kryekomunarit të Pustecit, Edmond Thelemko, i cili drejton partinë e maqedonasve


BLEDAR HOTI


Sali BerishaDitën e djeshme, Kryeministri e ka fokusuar në takimet intensive në Qarkun e Korçës, duke përuruar investime, rikonstruksionin e godinës së universitetit “Fan Noli”, takime me biznesin. Berisha e mbylli fushatën e tij në takime me gratë e qytetit të Korçës. Gjatë inaugurimit të rrugës Zemblak-Pustec (Liqenas), Kryeministri deklaroi se “alternativa tjetër, të dashur vëllezër dhe motra, për 4 vite ishte bojkot-bllokim, bllokim-bojkot. Momentin kur merrej vendimi në Parlamentin Europian për vizat për Shqipërinë, u ngritën çadrat para Kryeministrisë në mënyrë që ai vendim të mos merrej. Në momentin kur do të vendosej në komision, nisi xhiron në mbarë Shqipërinë me kutinë nën krahë ‘hap kutitë të zhbllokoj vizat’. Në momentin kur do të merrej vendimi tjetër, nisën letrat drejt Brukselit, se mbi 800 mijë shqiptarë do të vërshojnë drejt jush. Të gjitha këto mashtrime, shqiptarët sillen me heqjen e vizave në mënyrën më dinjitoze”. Më tej, lideri i PD-së, theksoi se “jam i bindur se shqiptarë me mençuri, me gjakftohtësi do të votojnë për forcën që u provua gjithë këto vite, lokomotivë e vërtetë e integrimit. Do të votojnë për besimin ndaj atyre, të cilët shndërruan në realitet premtimet tyre. Do të votojnë për PD-në, e cila programin e saj e ka të bazuar në vlerat më të larta njerëzore dhe hyjnore, e ka të bazuar në besimin te familja, te Zoti, te vendi, te liria e individit, e ka të bazuar në respektin e ndërsjellë”. Në takimin me gratë e këtij qyteti, Kryeministri u kërkoi votën atyre për të vënë në zbatim projektin e ri qeverisës, siç tha ai dhe jo për ato çfarë janë bërë në 8 vite. “Katër vitet që vijnë, një shans i madh, shkojmë drejt një mandati të ri, nuk e kërkojmë për ato që kemi realizuar, por për projektin e ri, për Shqipërinë që rrit punësimin dhe mirëqenien, që shkon e sigurt drejt integrimit në Europë”, tha Berisha. Para këtyre grave, Berisha tha se pavarësisht se shqiptarët e duan integrimin dhe statusin, janë shqiptarë edhe ata që e kanë bllokuar integrimin. “Cili shqiptar do të refuzonte të votonte këto tri ligje që na mundësonin të merrnim statusin e vendit kandidat në BE. Po ja që ata që i penguan këto tri ligje ishin shqiptarë”, tha Berisha.