Opozita


Kreu i PS prezanton dy emrat e listës së deputetëve të sigurt në zgjedhje


Mimoza Hafizi & Musa UlqiniNë një kohë kur kanë ngelur edhe pesë ditë nga data e mbylljes së listave të kandidatëve për deputetë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi si përfaqësues të listave të kësaj partie Musa Ulqinin dhe Mimoza Hafizin. Kreu i PS-së e prezantoi Ulqinin si kandidat për deputet në Qarkun e Elbasanit dhe Mimoza Hafizin në Qarkun e Shkodrës, duke shtuar se prania e tyre në këto lista ishte dhe një reflektim i tij, për ata njerëz të cilët ngelën jashtë listave katër vite më parë dhe nuk akumuluan mllef ndaj partisë së tyre. Musa Ulqinin, Rama e quajti një socialist 24 karat dhe vlerësoi dje publikisht faktin se qëndrimi larg politikës aktive për katër vite nuk e kishte bërë me mllef, por kishte vijuar të kontribuonte në komunitet për partinë që besonte. “Pavarësisht se në atë kohë u ndie i ngrënë në hakun e vet, nuk u kuturis në rrugën e mllefit, në emër të egoizmit, të sedrës apo interesit vetjak, por pavarësisht ndarjes me mua në këndvështrime me modesti, vazhdoi të kontribuojë në Partinë Socialiste në komunitetin ku jeton. Musa Ulqini vjen sot në skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes si një vlerë e shtuar në atë pjesë të patjetërsueshme të ballafaqimit zgjedhor, që është pjesa e komunikimit intensiv në terren, në bazë, në komunitet, me njerëzit derë më derë”, deklaroi Rama. Të njëjtin vlerësim, Rama bëri dhe për Hafizin, duke shtuar se ajo madje i ishte kundërvënë në forume për moskandidimin në vitin 2009, por pa shkelur asnjëherë etikën. “Zgjodhi të qëndrojë në PS dhe jo me mllef, por me arsyet e veta m’u kundërvu mua publikisht brenda forumit të partisë pa shkelur asnjëherë etikën. Por, ende më e rëndësishme se kjo, pa e lënë asnjëherë bosh vendin në Asamblenë Kombëtare në raport me njerëzit e kësaj familjeje politike, në raport me detyrën e saj dhe detyrimin përkarshi kësaj familjeje politike. Pa e shfrytëzuar, asnjëherë, statusin si anëtare e kryesisë për të promovuar një axhendë personale”, deklaroi Rama. Nga ana tjetër, në fjalën e tyre, Musa Ulqini dhe Mimoza Hafizi përmendën kontributin e gjatë pranë strukturave të Partisë Socialiste dhe falënderuan Ramën për mundësinë e dhënë në kuadër të përfshirjes në lista.


F.Mejdini