Afrika


Pati patrulluar me armë dhe kundërshtuar rrahjen dhe arrestimin e grave në Timbuktu


Gilles le Duen, islamiku francezNjë francez i konvertuar në mysliman që kërcënoi atdheun e vet u kap në Malin e Veriut ndërsa dyshohet se ka luftuar në anën e militantëve kundër trupave franceze. Ushtria franceze arrestoi Gilles Le Guen, i cili tashmë njihet me emrin Abdel Jelil, të dielën në darkë në afërsi të Timbuktut. Le Guen, 58 vjeç, besohet se ka jetuar në Timbuktu.


Ministri i Mbrojtjes i Francës Jean-Yves Le Drian, tha se duket se ai ka luftuar në anën e islamikëve. Disa raporte sugjerojnë që ai u bashkua me “Al-Kaedën” në Maghrebin Islamik, të cilin ushtria franceze po e lufton në zonë, por i njëjti grup e mbajti atë të burgosur për disa ditë nëntorin e kaluar.


Një muaj më parë, ai u shfaq në një video islamike me fytyrë të zbuluar dhe një armë pranë vetes për të kërcënuar Francën, SHBA-në dhe OKB-në. Pak para se sa Franca të dërgonte ushtarët e vet në Mali, ai i tha medias franceze: “Po ndjek rrugën e Bin Ladenit”.


Le Drian i tha medias se “duket se Le Guen ka luftuar me grupet xhihadiste”. Ai u kap nga një patrullë franceze. Si i burgosur, ai do t’u dorëzohet autoriteteve të Malit, të cilat ka gjasa do ta përzënë për në Francë. Ndaj tij, nuk janë ngritur akuza, por një hetim është hapur.


Duke e përshkruar të burgosurin si një “humbameno që u bë terrorist”, ministri tha se një numër qytetarësh francezë janë bashkuar me islamikët në rajonin e Sahelit, por se ky është një numër i vogël. Le Guen, ish-marinar anijesh tregtare nga qyteti i Nantës, u konvertua në mysliman më 1985 dhe ka jetuar në Mauritani dhe Marok para se të zhvendoset në Mali bashkë me bashkëshorten e tij marokene.


Gazetarët thonë se rasti i tij është i veçantë, pasi ai nuk u përpoq të fshehë identitetin e tij në Mali. Ai ka jetuar më së shumti falë parave që i kanë dërguar nga Europa dhe ka bërë punë të çuditshme si rregullim makinash apo pompash uji. Një gazetar francez që e takoi atë gjatë një vizite në Timbuktu gjatë sundimit të islamikëve, tha se e gjeti duke punuar si fermer dhish që ndihmonte me furnizimin e qytetit me energji elektrike.


Një udhëheqës vendor në Timbuktu, Diadie Hamadoun Maiga, tha se kur islamikët pushtuan qytetin, francezit iu dha detyra të patrullojë i armatosur. Megjithëse ai qe një islamik i fortë, e vuri veten në rrezik para banorëve, duke këmbëngulur për ndalimin e rrahjes së grave me kamxhik.


“Gilles Le Guen fitoi shumë pikë për shkak se mori anën tonë…”, tha ai. “Një ditë sulmoi burgun dhe liroi gratë e arrestuara”. Nuk është e qartë se pse islamikët e arrestuan atë në nëntor, por disa raportojnë se e arrestuan për shkak të kundërshtisë që pati shprehur ndaj rrahjes së grave ndërsa disa raporte të tjera thanë se dyshohej si spiun.