Inflacioni i intelektualëve
Diplomohen rreth 1 mijë juristë në vit. S’ka studime për nevojat e tregut, mungojnë statistikat bazë
Lorina Mixha
Pakkush e di, por brenda një viti akademik, nga universitetet publike e private diplomohen me mijëra studentë. Këto dhjetë vitet e fundit kërkesat më të larta nga të rinjtë janë për të studiuar kryesisht në degë elitare si Juridiku, Shkencat Politike, Diplomaci, Mësuesi, Infermieri.
Edhe pse ka shumë të diplomuar në këto degë, dhe shumë studentë të papunë që kanë përfunduar studimet, por që nuk ndjekin profesionin për të cilën u arsimuan, përsëri kërkesat dhe dyndja për këto degë elitare vijon nga maturantët e ish-maturantë që nuk janë shpallur fitues më parë në degët e preferuara.
Brenda një viti diplomohen mbi 700 studentë në degën e Juridikut, pa shtuar këtu numrin e të diplomuarve jashtë vendit. Ka një numër të lartë të studentëve shqiptarë që ndjekin studimet në degën e Juridikut, part-time apo me kohë të plotë në universitetet në Maqedoni dhe Kosovë, publike dhe private. Janë rreth 1 mijë studentë shqiptarë që diplomohen si juristë në universitetet shqiptare, kosovare dhe maqedonase publike apo private. Veç tyre janë qindra të tjerë që ndjekin studimet jashtë vendit në fushën e jurisprudencës.
Kuotat janë çdo vit më të larta dhe universitetet shtetërore ofrojnë rreth 300 të drejta studimi në këtë degë, duke përfshirë sistemin e ditës, sistemin e korrespondencës dhe edukimin në distancë. Në universitetet private kjo degë ndiqet me kohë të plotë dhe kushton minimumi rreth 250 mijë lekë të reja në vit. Degë të tjera elitare janë edhe shkencat politike apo diplomacia, të renditura ndër më të preferuarat nga maturantët, të cilët japin provimet e maturës për të fituar një të drejtë studimi në këtë program studimi.
Kuotat janë të ulëta në universitetet publike, kryesisht në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë, më pak se 100 studentë, ndërkohë që universitetet private janë ato që mbledhin më shumë studentë në këtë degë. Në të gjithë vendin, në universitetet private përllogariten nga 400-500 studentë, të cilët ndjekin studimet në degën e shkencave politike, diplomaci. Pa llogaritur këtu të diplomuarit në këtë fushë në master apo doktoraturë, si dhe studentët që edukohen jashtë vendit. Nga viti në vit numri i tyre rritet, ndërkohë që ofertat e punës për këta studentë janë shumë të pakta pas diplomimit si të ciklit të parë të studimeve ashtu edhe për ata që mbarojnë edhe master apo doktoraturë në këtë fushë.
Shumicë të diplomuarish kemi në degën e Infermierisë dhe Ekonomisë, me qindra të diplomuar regjistrohen çdo vit në sekretaritë e fakulteteve. Të gjithë këta ekonomistë dhe infermierë janë me shumicë, por ndryshe nga juristët dhe diplomatët, për ta ka më shumë mundësi punësimi, pavarësisht vështirësive apo kohës që u duhet kësaj kategorie për të gjetur një vend pune. Por, sipas ekspertëve, edhe për këto degë nga viti në vit numri është në rritje si në universitetet publike ashtu edhe në ato shtetërore.
Sipas ekonomistëve në vend, rezulton se ne kemi shumë mësues të diplomuar para dhe pas viteve ’90. Që të rinjtë të punësohen duhet që të vjetrit të dalin në pension, pasi ka një suficit të këtyre profesionistëve në tregun e punës, pavarësisht se sot nuk ka një studim konkret lidhur me kërkesat që ka sot tregu dhe mënyrën sesi duhet të bëhet shpërndarja e kuotave në universitete.
Sipas ODA (open.data.al), Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon për përqindjen e buxhetit të arsimit kundrejt PBB-së. Ajo lë pas vetëm Turqinë, ndërkohë që është shumë larg mesatares së BE-së. “Me trendin zbritës që ka marrë ky tregues vitet e fundit për Shqipërinë, duke shkuar në 2.8% për 2011-n, mund të thuhet se arritja e standardeve të BE-së për shpenzimet në arsim mbetet ende një iluzion”, vlerëson organizata.
Të dhënat e paraqitura nga ODA tregojnë se vetëm 25% e programeve të universiteteve private janë akredituar. Në vijim të procesit janë 20 programe, ndërkohë që pjesa më e madhe janë ende të paakredituar. “Akreditimi i universiteteve private merr rëndësi të veçantë për publikun, pasi janë institucione të reja dhe jo shumë të konsoliduara. Ndërsa për arsimin publik është krijuar një traditë dhe një opinion i fituar ndër vite, informacioni i vetëm për të gjykuar mbi morinë e universiteteve private në qarkullim, për momentin mbetet akreditimi, i cili supozon plotësimin e standardeve”, vijon raporti i ODA-s.
Banka Botërore: Zhvillimi i arsimit lidhet me ekonominë
“Nëse rritja e shifrave bëhet në kurriz të cilësisë, vë në rrezik përfitimet”
Studimet që ka bërë Banka Botërore që në fillim të viteve ’90, tregojnë se zhvillimi i arsimit të lartë lidhet me zhvillimin ekonomik. Këto konkluzione janë përforcuar nga studimet më të fundit për ndërtimin e shoqërive të dijeve. Këto studime tregojnë se aftësia e një shoqërie për të prodhuar, përzgjedhur, përshtatur, tregtuar dhe për të përdorur dijet është shumë e rëndësishme për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.
Banka Botërore i sugjeroi në vitin 2010 Shqipërisë të rrisë cilësinë e arsimit dhe lidhjen e tij me aktivitetet prodhuese për të mos vënë në rrezik rritjen ekonomike të vendit.
Ksenija Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri, pranoi se ka përpjekje për të rritur numrin e personave që kryejnë arsimin e mesëm dhe të lartë. Por nëse kjo rritje shifrash bëhet në kurriz të cilësisë, atëherë vë në rrezik përfitimet prej saj, që përkthehet përdorimi i kapitalit njerëzor në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Banka Botërore beson se investimet në arsim janë nga më të rëndësishmet që një qeveri mund të bëjë për të plotësuar nevojat specifike që zhvillimi i vendit kërkon. Rritja e pjesëmarrjes në shkolla dhe universitete duhet shoqëruar me cilësinë, pasi kjo lidhet me rritjen ekonomike dhe me ngritjen e një ekonomie moderne”, tha Ksenija Lvovski.