Kreu i PBDNJ-së mbështet aleatin e tij politik


Vangjel DuleKryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka shpallur dje bashkëpunimin në zgjedhje me Partinë e Prosperitetit Demokratik, e cila sipas Dules është përjashtuar nga konkurrimi në zgjedhje në mënyrë arbitrare. “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë që në këtë konferencë dal me zotin Hyzei Fetahu arsyeja është se sot denoncojmë aktin arbitrar të KQZ dhe të Kolegjit Zgjedhor, që përjashton nga konkurrimi Partinë e Prosperitetit Demokratik. Kjo parti ka garuar edhe në procese zgjedhore të mëparshme”, tha Dule ndërsa shtoi se arsyet e mospranimit të saj janë krejt absurde dhe të papranueshme. Kreu i PBDNJ-së tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi zoti Fetahu që është edhe kreu i kësaj partie do të jetë kandidat në listat e PBDNJ-së për Qarkun e Elbasanit. “Ne kemi marrë vendim për bashkëpunim në këto zgjedhje politike. PPD që përfaqëson interesat e komunitetit bullgar gollobordas do të bashkëpunojmë me ne në këto zgjedhje. Synimet tona janë të përbashkëta, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i minoriteteve. Zoti Fetahu kryeson listën tonë në Qarkun e Elbasanit”, tha më tej Dule. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është pjesë e koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe pretendon kryesisht që të marrë më shumë vota në zonën ku jeton minoriteti grek, por edhe në zona të tjera ku jetojnë komunitete të tjera nacionale dhe kulturore minoritare. Në fakt edhe Partia Demokratike ka firmosur aleancë me dy formacione politike të minoritetit përkatësisht “Mega”-n ku grupohet kryesisht një pjesë e minoritetit grek dhe me një parti të komunitetit të Prespës, që konsiderohen si maqedonas.