Shembja 


Inspektorati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës ka ndërmarrë dje një aksion për prishjen e një ndërtimi pa leje pranë Korpusit Universitar. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, ka theksuar se kati i parë i objektit është në proces legalizimi, ndërkohë që këto ditë është tentuar që pjesa tjetër të ndërtohet pa leje. Hoxha ndërsa u ka kërkuar qytetarëve të mos ndërmarrin veprime të tilla, pasi forca e ligjit do të veprojë mbi to.


“Prishja e këtij ndërtimi është në kuadër të angazhimit dhe punës tonë të përditshme, në lidhje me ndalimin dhe goditjen e të gjithë ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës.


U bëj edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos tentojnë shkeljen e ligjit, duke bërë ndërtime pa leje, pasi të gjithë ndërtimet që do të bëhen në kundërshtim me ligjin do të kenë të njëjtin fat, prishjen e tij”, tha Hoxha. Sipas tij territori i Bashkisë së Tiranës kontrollohet 24 orë nga shërbimet e Inspektoratit të Ndërtimit dhe askush nuk mund të dalë mbi ligjin. “Ne do të veprojmë, në të gjithë rastet që do të konstatojmë ndërtime pa leje. Ne do të vazhdojmë punën e përditshme, do të godasim çdo ndërtim të paligjshëm”, sqaroi Hoxha.