Alterteksti
Votim i fshehtë për librat. Ai që merr më shumë pikë bëhet pjesë e programit
Shpresa Mezini
Aktualisht në shkollat e arsimit parauniversitar ka nisur procesi i përzgjedhjes së teksteve të “reja” nga vetë mësuesit e këtyre institucioneve. Duke iu referuar deklaratës së këshilltarit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, sivjet nuk do të ketë tekste të reja ose e thënë ndryshe botime të reja dedikuar këtij viti shkollor. Por do të ketë shqyrtim dhe analizim të detajuar të teksteve të listuara në katalogun e vjetshëm. Kështu, mësuesit, pjesë e komisioneve përzgjedhëse në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme e kanë më të lehtë të zgjedhin mes morisë së teksteve, të cilat nuk janë të reja, por ato të një viti më parë.
Në fillim të muajit prill, në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar ka nisur përzgjedhja e teksteve për vitin e ardhshëm shkollor, 2013-2014. Ndryshe nga çdo vit tjetër, sivjet mësohet se nuk do të ketë tekste të reja alternative.
Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit thotë se pjesë e katalogut të këtij viti do të jenë sërish tekstet e vjetra, ato që u prezantuan vitin e kaluar. Ai thekson se procesi i përzgjedhjes së teksteve do të kalojë në tri faza, nga leximi tek analizimi për të përfunduar me përzgjedhjen përfundimtare të teksteve që do të realizohet nëpërmjet votimit të fshehtë.
“Faza që mësuesit kanë në dispozicion për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e teksteve të reja në shkollat parauniversitare ka qenë dhe mbetet 1 muaj, duke iu referuar rregullores së procesit të altertekstit. Afati është më se i mjaftueshëm për të lexuar tekstet dhe për të vlerësuar atë që duhet përfshirë ose jo në programet shkollore. Këtë vit, arsimtarët e kanë edhe më të lehtë përzgjedhjen e teksteve për shkak se janë po ato që u prezantuan vjet, asnjë alternativë e re përveç tyre. Duke qenë se ata libra janë shfletuar njëherë prej mësuesve, procesi do të jetë edhe më i thjeshtë për ta”, thotë këshilltari i ministrit të Arsimit.
E megjithatë, sipas tij, tekste të reja do të konsiderohet edhe përfshirja e atyre që vjet nuk u “kualifikuan”. Duke qenë se këtë vit ato nuk ishin pjesë e programeve shkollore konsiderohen tekste të reja, të panjohura të paktën nga nxënësit.
Kristiqi theksoi se sivjet MASH ka lëshuar thirrje vetëm për alternativa të reja mbi metodat e gjuhëve të huaja, konkretisht për gjuhën angleze dhe frënge, të cilat vitin e ardhshëm do të
Edhe këtë vit, njësoj si përvojën e kaluar, mësuesit do të kenë në duar formularë të posaçëm, ku do të japin një shpjegim të thjesht për shkakun e përzgjedhjes së një teksti, që do të dokumentohet në databaze-n e MASH-it, proces që po zhvillohet aktualisht në shkolla. Menjëherë pas përfundimit të kësaj faze, arsimtarët do të kalojnë në etapën e fundit, që është votimi i fshehtë i teksteve “fituese”. Votimi i fshehtë parashikon që asnjë mësues të mos ketë mundësi të njohë vlerësimin që bën një mësues tjetër për një libër të caktuar. Kështu, pas kësaj teksti që merr më shumë vota shpallet automatikisht fitues, duke u bërë pjesë e programit shkollor të vitit të ardhshëm. E kundërta do të ndodhë me librat që vlerësohet me më pak pikë.