Të dhëna


5.5 fëmijë   – Para viteve ’90 një grua në moshë riprodhuese sillte në jetë mesatarisht 5.5 fëmijë. Pas viteve ’90, koeficientet e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm


2 fëmijë – Në anketat e bëra nga ekspertët për studimin e fundit demografik në vend, çiftet e reja u shprehën se kërkojnë të bëjnë nga 1 në dy fëmijë


I vetëm – Sipas studiuesve, nëse do të vijojmë me teorinë e fëmijës së vetëm do të kishim pasoja për plakjen e popullsisë dhe rëndimin e mëtejshëm të buxhetit të shtetit


Fëmijët 


Ulen me 25 për qind lindjet në fshat dhe 20 për qind në qytet, rritet mosha e lindjes së parë


Lorina Mixha


banore te TiranesÇiftet e reja shqiptare priren për të pasur pak fëmijë. Sipas studimit demografik, por edhe në studimet e fundit të sociologëve dhe mjekëve gjinekologë vihet re tendenca e uljes së numrit të lindjeve, pas viteve ’90. Sipas analizave të ekspertëve nëse do të vijojmë me teorinë e fëmijës së vetëm, në një kohë kur jetëgjatësia e shqiptarëve është relativisht e lartë, e ardhmja e afërt e vendit është për të pasur një popullsi të plakur dhe më shumë çifte të moshuarish, që kërkojnë kujdes shëndetësor, pensione e gjithçka tjetër që rëndon buxhetin e shtetit.


Sipas studimit të fundit demografik të realizuar në vend, shumica e çifteve të reja të pyetur e të anketuar janë të mendimit dhe shprehin dëshirën se do të ishte më mirë të kishin nga një deri në dy fëmijë. Sipas të dhënave të fundit, rezulton se kemi ulje të lindshmërisë me rreth 25 për qind në zonat urbane dhe me rreth 20 për qind në zonat rurale.


“Në vitet ’90, rritja e popullsisë konsiderohej si faktor për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, ndaj edhe politikat shtetërore të lindshmërisë kanë qenë nataiste. Në atë kohë, një grua në moshë riprodhuese sillte në jetë mesatarisht 5.5 fëmijë. Pas viteve ’90 koeficientet e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm dhe kjo shpjegohet kryesisht me emigracionin e lartë të popullsisë në moshë riprodhuese, rritjen e nivelit të edukimit, rritjen e moshës mesatare të hyrjes në martesë të vajzave, kontrollin e lindjeve”, analizojnë në botimin e fundit të vitit 2012, “Probleme sociale bashkëkohore” sociologia Nora Malaj dhe Lekë Sokoli.


Sipas tyre, prirja e përgjithshme është që çiftet të kenë vetëm nga një fëmijë. Ata hedhin në diskutim në nivel arsimor dhe ekspertësh çështjen se çfarë do të ndodhë me të moshuarit nëse vijon logjika e fëmijës së vetëm.


Numri i lindjeve në vend nga viti në vit po ulet. Numri ideal i fëmijëve që duan të lindin shqiptarët është mesatarisht dy.


Sipas studimit demografik shëndetësor në Shqipëri (2008-2009), lindshmëria më e ulët në qytete po sjell përqindje më të ulët të fëmijëve në zonat urbane krahasuar me ato rurale (20 dhe 25 për qind). Përveç lindshmërisë së ulët, faktorë të tjerë që po ndikojnë në përqindjen e ulët të fëmijëve 0-14 vjeç, janë emigracioni i njerëzve në moshë riprodhuese, arsyet ekonomike që shoqërojnë koston e lindjes së më shumë fëmijëve, rritja e moshës së martesës, përdorimi i metodave të planifikimit familjar.


Mendësia për të bërë karrierë përpara se të bëhemi prindër po sjell probleme sociale-demografike dhe po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkallën e lindshmërisë së shëndetshme në vend.


Sipas mjekëve kjo bën që për një përqindje të lartë femrash mosha se kur lindin fëmijën e parë të jetë rreth të 30-ve, por edhe pas kësaj moshe. Obstetrit referuan se nga studimet dhe vëzhgimet e shtatzënive të viteve të fundit, rezulton se një pjesë e konsiderueshme femrash përjetojnë shqetësime gjatë kësaj periudhe.


Në konferencën e 6 të perinatologjisë, për herë të parë mjekët obstetër nga dy maternitetet e kryeqytetit “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” në referimet e tyre qasën faktet se në vendin tonë, gratë në karrierë, vajzat të cilat mendojnë në fillim të bëhen të suksesshme në punën e tyre dhe më pas të lindin, po rrisin moshën e lindjes së fëmijës së parë.


Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë se janë rreth 12 për qind e çifteve shqiptare që kanë probleme me sjelljen në jetë të një fëmije në rrugë natyrale, ndërkohë që mjekët gjinekologë thonë se kjo statistikë shkon deri në 15 për qind të rasteve.


 


Të dhëna


20% – Është ulur niveli i lindshmërisë në zonat rurale, sipas të dhënave të studimit të fundit demografik në vendin tonë


25% – Në zonat urbane, në qytete të mëdha, numri i lindjeve është ulur me 25 për qind, ndërkohë që çiftet e reja duan deri në 2 fëmijë


13% – Deri në 15 është përqindja e çifteve, të cilët nuk arrijnë dot të bëjnë fëmijë në rrugë natyrale dhe kërkojnë riprodhim të asistuar