“Zvicra është favoriti për kualifikimin direkt. Ne do t’i luajmë shanset tona për të shkuar në Botëror”
Xhani de Biazi po bën një punë të mirë në Kombëtaren e Shqipërisë, duke marrë rezultate që janë ndër më të mirat e historisë së përfaqësueses sonë. Në fakt kuqezinjtë aktualisht janë në vendin e dytë në klasifikimin e grupit të eliminatoreve të Botërorit 2014 me 9 pikë në 5 ndeshje, fryt i 3 fitoreve dhe 2 humbjeve. Kryeson Zvicra me 11 pikë, pastaj ndjekin me pikë të barabarta dy surpriza si Islanda dhe Shqipëria, të cilat për momentin lënë pas skuadra më të kuotuara si Norvegjia dhe Sllovenia. Në veçanti, për Shqipërinë ishte historike fitorja më 22 marsin e shkuar në Norvegji dhe ëndrra e madhe për kualifikimin në fazën finale të Brazil 2014, ose të paktën “play-off”-i, nuk është e ndaluar. Në qershor, kuqezinjtë do të presin në shtëpi Norvegjinë, dhe nëse do të fitojnë, mund të fillohet të mendohet për projekte të mëdha. Lojtarët më të famshëm të Shqiponjave të Ballkanit janë protagonistë të futbollit italian, si portieri i Kievos, Ujkani, sulmuesi i Sienës, Bogdani, mesfushori i Lacios, Cana, dhe ai i Torinos, Basha. Pra një “Itali e vogël”, duke u nisur nga trajneri. Në një intervistë për mediat italiane, De Biazi ka rrëfyer objektivat kuqezi. Si po shkon përvoja juaj si trajner i Shqipërisë? Rezultatet janë të mira. Kemi 9 pikë sa Islanda, surpriza tjetër e grupit. Janë luajtur 5 ndeshje dhe mungojnë po aq: jemi në mesin e punës. Do t’i luajmë deri në fund mundësitë tona për të shkuar në Botëror. Zvicra është skuadra më e fortë e grupit? Sigurisht është formacioni më i kompletuar teknikisht, favorit për kualifikimin direkt. Ne do të ishim të kënaqur nëse arrijmë në ‘play off’ si të dytët. Do të keni një ndeshje thuajse decizive më 7 qershor në shtëpi kundër Norvegjisë… Fitorja do të ishte shumë e rëndësishme, në Shqipëri mezi po e presin këtë ndeshje. Gjithsesi njerëzit janë të kënaqur për rezultatet e Kombëtares. Ka shumë entuziazëm. Si ia arritët të ndërtoni një Kombëtare të një niveli të mirë teknik? Kemi eksploruar për të gjetur lojtarët më të mitë shqiptarë në Europë dhe i kemi grupuar bashkë. Mund të na përmendi një futbollist të nivelit të lartë që luan në Kombëtaren e Shqipërisë? Jo, as nuk e çoj ndërmend. Preferoj të mos jap emra të përveçëm.