Të dhëna


52 ditë – Larg janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit, që konsiderohen tepër të rëndësishme


2 koalicione – kryesore janë formuar për parlamentarët e ardhshëm. PS dhe PD i udhëheqin ato


40 parti – është numri i forcave politike që përbëjnë koalicionin e majtë dhe 26 ato që përbëjnë të djathtin.


Ndërkombëtarët – Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së paralajmëron trazira: Po vëzhgojmë me shqetësim


Fatjona Mejdini


lamberto_zannier_osceNdërkombëtarët kanë rritur shqetësimin në lidhje me situatën parazgjedhore në Shqipëri. Autoriteti më i lartë i OSBE-së, Sekretari i Përgjithshëm, Lamberto Zannier, zgjodhi të jepte një mesazh të fortë për situatën e tensionuar në Shqipëri, si një ogur i keq për 23 qershorin përmes agjencisë italiane të lajmeve ANSA. Në qëndrimin e tij për Shqipërinë, ai arrin deri aty sa të pohojë se në Shqipëri mund të ketë përplasje që mund të destabilizojnë vendin, si pasojë e polarizimit të skajshëm të jetës politike. Zannier foli dhe për çështjen e rritjes së nacionalizimit në vend, duke i ftuar palët politike të jenë të kujdesshme për të mos shkatërruar klimën e mirëkuptimit që ekziston në rajon. Ai kujtoi dhe përpjekjet e OSBE-së në Tiranë në kuadër të zgjedhjeve dhe nënvizoi rolin stabilizues që ka Shqipëria në rajon, që duhet të vlerësohet dhe të ruhet me kujdes.


Trazirat


Deklaratat e Lamberto Zannier për ANSA-n ishin alarmuese, nisur nga fakti se ai nuk mohoi skenarin e destabilizimit të vendit si pasojë e luftës së brendshme politike në prag të zgjedhjeve. Ai deklaroi se OSBE, si një institucion me përgjegjësi për zgjedhjet në Shqipëri, po ndien rritje të ashpërsimit të situatës, e cila mund të sjellë një klimë politike jo të lehtë gjatë afrimit të garës elektorale. “Jemi duke vëzhguar me shqetësim shenjat në rritje të ashpërsimit të dialogut politik. Ne presim një proces elektoral shumë konkurrues në një klimë jo të lehtë”, deklaroi drejtuesi i institucionit me seli qendrore në Vjenë. Zannier shkoi më larg kur theksoi se e gjithë kjo klimë tensioni në rritje mund të sjellë edhe përplasje të brendshme në vend. “Shqetësimi ynë lidhet edhe me përplasjet që mund të minojnë stabilitetin e brendshëm të vendit”, theksoi ai, duke dhënë alarmin për një skenar të errët që mund të ndodhë në Shqipëri si pasojë e përplasjeve politike. Ashtu si dhe në vitet e tjera, klima paraelektorale po shoqërohet me tensione dhe debate të ashpra mes palëve. Por situata këtë vit bëhet më kritike në kuadër të faktit se mazhoranca e drejtuar nga PD kërkon me çdo kusht mandatin e saj të tretë për qeverisjen e vendit dhe opozita e përforcuar dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim flet për një rotacion të sigurt pushteti.


Nacionalizmat


Rritjet e toneve nacionaliste në vend, herë nga Kryeministri Berisha dhe herë nga përfaqësuesit e partive të reja, si Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut duket se kanë shqetësuar dhe zyrtarin e lartë të OSBE-së. Në prononcimin e dhënë për ANSA-n, Zannier deklaroi se rritja e këtyre toneve vjen në një moment krejt të papërshtatshëm si pasojë e klimës së qetë që ekziston në rajon. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së theksoi se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur një rol stabilizues në rajon dhe në këtë kuadër nuk mund të mbajë tashmë një tjetër qëndrim. “Ne urojmë që tonet e tepruara të nacionalizmit që po përdoren nuk do të kthehen në element të destabilizimit në rajon”, theksoi zyrtari i lartë i OSBE-së. Madje ai tha se vetë ky institucion ka ndihmuar Shqipërinë në arritjen e rolit të vendit stabilizues për të gjithë rajonin e Europës Juglindore.


 


Takimi – Pak ditë më parë, kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një drekë pune me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Zannier, në Vjenë. Temë bisede ishte dhe KQZ-ja


Shqetësimi – Pak ditë më parë në një tryezë për zgjedhjet shqiptare të mbajtur në Uashington, analisti Junuz Bugajski theksoi se ekziston dhe skenari i destabilitetit


Largimi – Përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka deklaruar se do të largohet së shpejti nga Shqipëria, por do ta bëjë këtë me përfundimin e zgjedhjeve.


Roli – OSBE ka rol tepër të rëndësishëm për sa u përket zgjedhjeve në Shqipëri. Ky institucion është i përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha hallkat e këtij procesi.


 


Ambasadorja gjermane


Holtkemper: 23 qershori, një test jetik për vendin


Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler HoltkemperAmbasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper i konsideroi zgjedhjet shqiptare të 23 qershorit si një test jetik për vendin. Në një takim me studentë në Dhomën Britanike të Tregtisë dhe Industrisë, Holtkemper theksoi se Shqipëria nuk kishte pasur ndonjëherë zgjedhje të pakontestuara, por tashmë kërkesa e saj për të qenë pjesë e BE-së i imponon një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Kam ndjekur hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për në Bashkimin Europian, ajo ka bërë shumë përpjekje, ka bërë më shumë progres gjatë dekadave të fundit se çdo vend tjetër në rajon, duke pasur parasysh se ka kaluar diktaturën më të ashpër, por ka ende edhe një distancë për të bërë. Pas dy muajsh, zgjedhjet do të jenë një test jetik, deri tani Shqipëria nuk ka pasur zgjedhje të pakontestueshme përveç zgjedhjeve të para pas komunizmit. Zgjedhjet e ardhshme janë test shumë i rëndësishëm, ka shumë institucione dhe vëzhgues për këto zgjedhje”, theksoi Holtkemper.