Vëllai dhe dy nipat e shoferit janë arrestuar për një vrasje në Fier
Sulejman dhe Alie Sula po udhëtonin me mjetin e tyre nga Fieri për në Tiranë, kur ka ndodhur shpërthimi
Një sasi eksplozivi është vendosur në makinën e një çifti në Fier, duke sjellë plagosjen e tyre, ndërkohë që dyshimet e para të policisë janë për hakmarrje, pasi vëllai i burrit të plagosur dyshohet për një vrasje të kryer disa muaj më parë. Eksplozivi, i cili mendohet se ishte me telekomandë, ka shpërthyer kur makina ishte në ecje, pasi çifti po udhëtonte me veturë nga Fieri drejt Tiranës. Makina e dy bashkëshortëve Sulejman dhe Alie Sula, përkatësisht 60 dhe 51 vjeç, prindër të dy fëmijëve, ka shpërthyer dhe mes flakëve ata kanë udhëtuar për rreth 300 metra, derisa autovetura është ndalur. Ndonëse makina është shkatërruar dhe është përfshirë nga flakët, dy bashkëshortët kanë mundur të mbijetojnë.
Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit të djeshëm kur bashkëshortët Sula nga lagjja “Liri” e Fierit janë tronditur nga shpërthimi në mjetin tip “Scoda” me targa TR 2661 S. Shpërthimi ndodhi në autostradën Fier-Lushnjë, në vendin e quajtur Vajkan. Menjëherë mjeti është përfshirë nga flakët, por ka vazhduar të ecë edhe për rreth 300 metra. Pasi makina është ndalur, ka dalë i pari 60-vjeçari Sulejman Sula, i cili ka arritur të nxjerrë jashtë bashkëshorten. Banorë të zonës i kanë transportuar të dëmtuarit për në Spitalin Rajonal të Fierit, ku janë shtruar në repartin e reanimacionit dhe ku ndodhen në gjendje të rëndë. Mësohet se Sulejmani ka marrë plagë më të rënda në këmbë, njëra prej të cilave është dëmtuar shumë. Po ashtu, bashkëshortët janë dëmtuar edhe në pjesë të tjera të trupit, për shkak të shpërthimit dhe flakëve që kanë përfshirë mjetin.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i shpërthimit mund të ketë qenë aktivizimi i ndonjë sasie eksplozivi me anë të telekomandës. Mësohet se nga akt-ekspertimi i vendngjarjes është konkluduar se në vendin ku ka shpërthyer automjeti është shkaktuar një gropë me thellësi rreth 50 centimetra. Sipas ekspertëve, një gropë e tillë shkaktohet në raste kur ka shpërthim të lëndëve plasëse. Dyshohet se lënda plasëse ka qenë e fiksuar në pjesën e poshtme të autoveturës, nga ana e drejtuesit të mjetit. Ndërkohë, mësohet se shpërthimi i eksplozivit gjatë kohës që makina ka qenë në ecje, e ka zvogëluar forcën e tij, duke bërë të mundur mbijetesën e bashkëshortëve Sula.
Menjëherë pas marrjes së informacionit dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka nisur hetimet për zbulimin e shkaqeve që mund të kenë çuar në këtë atentat, që për pak u mori jetën bashkëshortëve Sula. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertë antieksplozivë nga Tirana, të cilët kanë asistuar në kryerjen e akt-ekspertimeve. Nga hetimet paraprake dyshohet se atentati mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrjeje. Kjo, pasi vëllai i të plagosurit Sulejman Sula, Gëzim Sula, 49 vjeç, dhe dy nipërit Endri dhe Ervis Sula 22 e 20 vjeç, dyshohen për vrasjen e një biznesmeni, ngjarje e ndodhur rreth gjashtë muaj më parë në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit. Gëzim Sula dhe dy djemtë e tij u ndaluan si autorë të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Naim Suli në nëntor të vitit të kaluar, teksa ai po hynte në banesën e tij. Vëllai i Sulejmanit që u plagos dje, Gëzim Sula, e ka pranuar autorësinë e vrasjes së fqinjit të tij, Naim Suli. Shkak i konfliktit mes tyre mësohet të ketë qenë pretendimi i viktimës Naim Suli për zhvendosjen e aktivitetit të Gëzimit, i cili gëzon pronësinë e një pike servisi automjetesh pranë vilës luksoze të të ndjerit. Në këto kushte, policia mësohet se ka marrë nën hetim familjen e viktimës si të dyshuar kryesorë të atentatit me eksploziv. Ndërkaq, policia është duke verifikuar çdo konflikt të mundshëm të të plagosurve apo familjarëve të tjerë të tyre. Burimet zyrtare të policisë theksojnë se deri tanimë janë shoqëruar 10 persona që dyshohet të kenë pasur dijeni mbi ngjarjen apo të dyshuar për implikim. Re. Rre.