IGLI TOTOZANI


Avokat i Popullit


Igli TotozaniNë vitin 2003, Këshilli i Europës hartoi një rekomandim, sipas të cilit asnjë nga gjinitë nuk mund të përfaqësohej në një instancë vendimmarrëse me më pak se 40%. Ky rekomandim – që bazohet në konceptin e pjesëmarrjes së ekuilibruar, duke apeluar rëndësinë e madhe që ka niveli i përfaqësimit politik të grave në organizatat vendimmarrëse – nuk ishte i rastësishëm.


Europa ka kohë që po punon në këtë drejtim, me theks të veçantë e të posaçëm në pjesëmarrjen e grave në Parlament dhe qeverisje. 10 vjet pas këtij rekomandimi, Shqipëria, për fat të keq, nuk ka ende arsye të mburret në asnjë nga këto dy fusha.


Jo pa qëllim dëshiroj t’i drejtohem klasës politike në këtë moment të mbylljes së listave të kandidatëve për deputetë për Kuvendin e ri pas zgjedhjeve të 23 qershorit.


Është e vërtetë që ka pasur debate mbi kuotat e grave në listat e deputetëve; ka pasur kundërthënie nëse janë mirë, apo janë keq, nëse janë shumë apo janë pak, por një gjë është e sigurt: veçanërisht në vende të vështira me mentalitet të përhapur patriarkal, paracaktimi i kuotave ka rezultuar një qasje mjaft efikase.


Dëshiroj të theksoj se formula për përfaqësimin e grave në këto lista nuk ishte padyshim më e mirëpritura nga Avokati i Popullit dhe shoqëria civile, por ashtu siç është ajo duhet zbatuar. Jo vetëm nuk është rruga e duhur, por është trishtuese për të gjithë ata që presin ndryshime reale në këtë vend të konstatosh që megjithëse ligji përcakton kuotën 30 për qind të pjesëmarrjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë, partitë kanë zgjedhur të paguajnë penalitetet e shkeljes së tij. Do të dëshiroja t’u bëja thirrje partive politike që të jenë më serioze në çështje të tilla, që e dëshmojnë në një kënd të padëshiruar edhe vizionin e tyre afatgjatë për zhvillimin e vendit.


Duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së ekuilibruar të grave në Parlament, partitë do të jepnin një mesazh të qartë të vullnetit për ndryshime reale në skemën e vendimmarrjes politike të vendit. Ky është një element themelor i drejtave të njeriut; është një element i drejtësisë sociale në vend, por më shumë se kaq, është një çështje e demokracisë reale. Nuk mund të ketë demokraci në një vend ku gjysma e popullsisë nuk është e përfaqësuar.


Çfarë duhet bërë? Sigurisht jemi larg modelit të Spanjës, për shembull, ku në listat për deputetë në çdo dy kandidatë, një është grua. Por edhe në rrethanat shqiptare ka jo pak hapësira për të vepruar. Është e domosdoshme ndërmarrja e masave të menjëhershme që synojnë të stimulojnë edhe te vetë gratë vullnetin për të marrë pjesë në vendimmarrje. Dhe jo vetëm në atë ngushtësisht politike, por edhe në sensin e angazhimit publik të tyre. Kjo nënkupton aktivizimin e politikave


sociale dhe familjare në ndihmë të grave. Një segment që kërkon vëmendje (por sigurisht edhe zgjerim si koncept) është modeli i familjes tradicionale. Politikat duhet të korrigjojnë në këtë model tërheqjen e grave në jetë të plotë pasive, sidomos pas lindjes së fëmijëve.


Zgjerimin e këtij koncepti nuk mund ta arrijmë në këto pak rreshta apelues. Por, siç nënvizuam më lart, klasa politike duhet të jetë e para që dëshmon vullnetin e duhur për të realizuar jo me fjalë, por me vepra, ekuilibrimin e pjesëmarrjes së grave dhe burrave në jetën e vendit. Jepini Shqipërisë mundësinë që të jetë jo vetëm më e drejtë, por edhe më e mençur.