Lufta civile
Vrasje me gjakftohtësi e civilëve në fshatin e banuar nga myslimanët suni
Forcat shtetërore dhe milici besnike ndaj Presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, sulmuan një fshat bregdetar dje, duke vrarë së paku 50 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Grupi monitorues pranë opozitës tha se numri final i të vrarëve ka gjasa të arrijë në mbi 100. Shumë prej të vrarëve dukej se qenë ekzekutuar me armë zjarri apo me mbytje, ndërsa trupa të tjerë u gjetën të djegur.
Raportet e aktivistëve mbi vrasjet nuk mund të identifikohen në mënyrë të pavarur, për shkak se qeveria e Sirisë nuk lejon hyrjen e gazetarëve të pavarur. Disa orë më herët, rebelët patën sulmuar një autobus të mbushur me militantë pro-Asad të njohur si Shabiha, duke vrarë së paku gjashtë vetë dhe duke plagosur 20 të tjerë. Në përgjigje, forcat qeveritare dhe Shabihat rrethuan fshatrat Baida dhe Maqreb, i rrafshuan me bombardime me mortaja para se të hyjnë me trupa tokësore.
Forcat e Asadit kanë ndërmarrë një seri sulmesh nga kryeqyteti Damask në drejtim të qytetit Homs në qendër e deri te bregu i Mesdheut, ku gjendet edhe pjesa më e madhe e popullsisë së besimit alavit, sektit ku bën pjesë edhe vetë Asad.
Kryengritja dyvjeçare kundër sundimit të familjes Asad është udhëhequr nga mazhoranca myslimane suni e Sirisë, ndërsa përplasjet sektare dhe masakrat janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Konflikti ka shkaktuar deri tani mbi 70 mijë njerëz.
Baida ishte vendi ku ndodhi një nga përplasjet më të hershme sektare, kur luftëtarët alavi sulmuan protestuesit suni përgjatë ditëve të para të rebelimit. Disa njerëz mbetën të vrarë në atë rast. Qyteti i Banias dhe fshatrat përreth janë një zonë përgjithësisht suni e rrethuar nga fshatra alavi.
“Fati i dhjetëra banorëve mbetet i panjohur”, tha Observatori që mbledh raporte nga një rrjet aktivistësh të shpërndarë në të gjithë Sirinë. “Shumë shtëpi u shkatërruan nga forcat e regjimit që qenë grumbulluar në fshatrat alavi aty pranë. Informacioni është ende shumë i paktë, ndërsa linjat e telefonit dhe internetit janë ndërprerë.”
Avancimi i Asadit
Forcat shtetërore dhe milicitë besnike duket se kanë bërë përparime të rëndësishme në javët e fundit, duke kapur shumë periferi përreth Damaskut, si dhe duke rifituar territor të humbur në Homs, vendlindja e kryengritjes së armatosur. Luftëtarët dhe aktivistët thanë se forcat pro Asad kanë rimarrë një lagje qendrore në Homs, duke hapur një të çarë mes dy xhepash rezistence opozitare. Observatori tha se sulmi është mbështetur nga koordinatorë iranianë dhe hezbollahë.
Irani shia dhe hezbollah mohon të ketë dërguar forca për të luftuar krahas trupave të Asadit, por udhëheqësi i Hezbollahut, Sayed Hasan Nasrallah, ka folur gjithnjë e më shumë hapur për praninë e grupit në Siri, ku thotë se po mbron banorët shia të këtij vendi nga sulmet e rebelëve suni.
Homsi gjendet në rrugën kryesore që lidh Damaskun me bregdetin e dominuar nga alavitët. Shumë aktivistë të opozitës bënë thirrje për veprim të koordinuar të grupimeve rebele, sepse përndryshe rreziku i disfatës është i lartë. “Nëse nuk bashkohemi nën një flamur, regjimi do t’i shpartallojë brigadat një nga një”, tha njëri prej aktivistëve.