Tritoli ishte vendosur në skapamentin e makinës. Shpërtheu nga nxehtësia. Hetohet një pistë e re
Të dhëna
Mekanizmi – Hetuesit dyshojnë që sasia e eksplozivit të jetë vendosur në skapamentin e makinës, pjesë e cila nxehet kur mjeti është duke ecur
Dyshimi – Personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit në skapamentin e makinës ka qenë i specializuar e me përvojë në këtë fushë
Shpërthimi – Makina ka marrë flakë, por ka ecur edhe rreth 300 metra e më pas ka ndaluar, ku është gjetur nga policia e shkrumbuar nga zjarri
Hetimet e 24 orëve të fundit lidhur me atentatin me eksploziv ndaj bashkëshortëve Sulejman dhe Alie Sula nga qyteti i Fierit, mëngjesin e së premtes në autostradë, në vendin e quajtur Vajkan, duket se kanë konkluduar në një pistë konkrete rreth motivit të ngjarjes, duke zbehur atë të hakmarrjes që u dyshua fillimisht. Hetuesit dhe ekspertët kriminalistikë kanë ndërtuar skemën e ngjarjes, por pa arritur dot të sigurojnë ndonjë gjurmë të autorit të vendosjes së eksplozivit, që dyshohet të jetë i paguar dhe ekspert në këtë fushë.
Ekspertimi
Nga ekspertimi i autoveturës tip “Scoda” me targë TR 2661 S dhe i vendit të ngjarjes, ekspertët kanë konkluduar se makina është dëmtuar si pasojë e një sasie eksplozivi të vendosur poshtë saj. Fillimisht hetuesit kanë dyshuar se shpërthimi i eksplozivit mund të jetë kryer me telekomandë. Por për shkak se nuk janë siguruar prova që e vërtetojnë këtë fakt, dyshohet që eksplozivi të jetë vendosur në një pjesë të makinës e cila nxehet kur mjeti ecën. Nga burime të gazetës mësohet se hetuesit dyshojnë që sasia e eksplozivit të jetë vendosur në skapamentin e makinës, pjesë e cila nxehet kur mjeti është duke ecur. Dyshimi është forcuar edhe gjatë këqyrjes së mjetit, ku në këtë pjesë janë konstatuar dëmtime më të theksuara se në sipërfaqen tjetër të makinës, e cila më pas u dogj e gjitha nga flakët.
Autori
Nga analiza e provave të deritanishme, policia ka konkluduar në faktin se personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit në skapamentin e makinës ka qenë i specializuar e me përvojë në këtë fushë. Burimet shprehen se dyshohet që autori i atentatit të jetë paguar nga persona të tjerë dhe të mos jetë banor i Rrethit të Fierit, por nga ndonjë qytet tjetër i vendit. Nga informacionet e marra në rrugë operative dhe verifikimet paraprake të elementëve kriminalë në qytetin e Fierit, nuk është konstatuar më parë një rast i tillë.
Motivet
Verifikimet paraprake të konflikteve të mundshme të 60-vjeçarit Sula kanë nxjerrë në pah një tjetër pistë rreth motivit të ngjarjes. Mësohet se Sula ka qenë në ortakëri me disa persona në biznese të ndryshme tregtie vitet e fundit. Nga informacione të marra në rrugë operative, hetuesit kanë mësuar se 60-vjeçari Sulejman Sula është ndarë me ortakët e tij dhe mendohet se ka pasur edhe konflikte me disa prej tyre. Ndërkohë, janë zbehur dyshimet e një hakmarrjeje për shkak të një vrasje për të cilën akuzohet vëllai i tij Gëzim Sula, pohojnë burimet e bluve. Ato shtojnë se nuk është përjashtuar ende asnjë pistë dhe po verifikohet çdo konflikt i Sulejmanit dhe familjarëve të tij, me qëllim arritjen e një versioni përfundimtar rreth motivit të tentativës së vrasjes mëngjesin e së premtes.
Ngjarja
Mëngjesin e dy ditëve më parë, rreth orës 08:00, një sasi eksplozivi e montuar në pjesën e poshtme të autoveturës tip “Scoda” me targë TR 2661 S, në pronësi të bashkëshortëve Sulejman e Alie Sula, ka shpërthyer teksa ata po udhëtonin drejt kryeqytetit. Ata kanë qenë duke udhëtuar në autostradën Fier-Lushnjë, në vendin e quajtur Vajkan, kur eksplozivi ka shpërthyer poshtë makinës së tyre, duke hapur në asfalt një gropë. Makina ka marrë flakë, por ka ecur edhe rreth 300 metra e më pas ka ndaluar, ku është gjetur nga policia e shkrumbuar nga zjarri. I pari ka dalë nga mjeti Sulejmani, i cili ka nxjerrë bashkëshorten e më pas janë shoqëruar për në spital nga persona të rastësishëm. Edhe pse shpërthimi ka qenë i fuqishëm, dy bashkëshortët fatmirësisht i kanë shpëtuar atentatit. Sipas mjekëve të Spitalit Rajonal të Fierit, dy bashkëshortët janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Sulejmani ka pësuar dëmtime të rënda në të dyja këmbët e në gjithë trupin, ndërsa bashkëshortja është në gjendje më të mirë, kanë pohuar mjekët për gazetën. Sipas burimeve të policisë, qëllimi i atentatit dyshohet të ketë qenë eliminimi fizik i 60-vjeçarit Sulejman Sula. Fatmirësisht mjeti ka qenë duke ecur në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, çka ka bërë që dëmtimet të jenë më të lehta. Kjo, pasi lëndët plasëse shkaktojnë më shumë dëme në ambiente të mbyllura, përfundojnë burimet.
Re.Rre.