Copy of Popovic dhe Allmuca duke festuar golat me KukesinNë javën e fundit të sezonit, duel në distancë me Teutën për titullin e nënkampionit


Altin Manallari


Zbardhen më në fund të gjitha verdiktet e mëdha të Kategorisë Superiore për sezonin 2012-2013. Më i fundit është zyrtarizuar dje me Kukësin që ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Europa League. Por java e fundit (e 26-ta) do të ndajë edhe titullin simbolik të nënkampionit të vendit.


Pasditen e djeshme spikati triumfi i Kukësit në transfertën përballë Kastriotit me rezultatin e pastër 3-0. Armando Cungu kishte zbarkuar në Krujë me formacionin e tij më të mirë. Fillimisht rezultati është zhbllokuar nga autogoli i Pengilit (36’) në portën e krutanëve. Më pas ata që garantuan 3 pikëshin e rëndësishëm për verilindorët ishin golat e Mziut (75’) dhe Popoviç (78’). Me këtë fitore, Kukësi ka rimarrë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 49 pikë, një më shumë sesa Teuta e vendit të tretë dhe ka siguruar edhe matematikisht pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Europa League, duke shënuar kështu një arritje historike për klubin, i cili vetëm në këtë sezon u ngjit për herë të parë në Superiore. Verilindorët në ndeshjen e fundit presin në shtëpi Skënderbeun, ku synojnë një tjetër fitore për të festuar bashkë me korçarët si kampionë dhe nënkampionë të vendit. Një Flamurtar i rinovuar, me shumë emra të rinj në formacion, ka arritur të mposhtë me rezultatin 3-1 Vllazninë, e cila gjithashtu kishte hedhur disa lojtarë të rinj në fushën e lojës. Golat për vlonjatët u realizuan nga Idrizaj, Nelaj dhe Lena, ndërsa për shkodranët Shtupina. Tirana vuan shumë për të marrë një fitore 2-1 ndaj Bylisit në “Selman Stermasi”. Bardheblutë shënuan të parët me Gilman Likën (11’), por dalja me karton të kuq e Ahmatajt në pjesën e dytë e la skuadrën me 10 lojtarë. Ballshiotët barazuan përkohësisht me Sefën (39’). Por në minutën e 77-të Tirana është rikthyer në avantazh me golin e kosovarit Limani. Shkumbini ka marrë një fitore 2-1 ndaj Tomorit, por është i detyruar të luajë një kategori më poshtë sezonin që vjen, pas 19 vitesh qëndrimi në elitë. Në Kavajë, Besa dhe Apolonia janë ndalur te një barazim 1-1. Ndërsa në Korçë Skënderbeu ka fituar 1-0 ndaj Luftëtarit, por interesant ishte fakti që për herë të parë në histori në trupën e gjyqtarëve që gjykuan këtë takim ishin përfshirë dy gjyqtare femra. Verdiktet tashmë janë zbuluar: Skënderbeu kampion do të luajë në Champions League, ndërsa Kukësi dhe Teuta në Europa League. Po ashtu janë mësuar edhe 4 skuadrat që zbresin një kategori më poshtë: Apolonia, Tomori, Luftëtari e Shkumbini. Mbetet e hapur teorikisht vetëm beteja për vendin e dytë, atë të nënkampionit, ndërsa skuadra e tretë shqiptare që do të marrë pjesë në Europa League do të dalë nga finalja e Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Bylisit.


 


 


Superiore (Java XXV)


 


TË PREMTEN


Teuta–Laçi 1-0


Osmani 66′


 


DJE


Skënderbeu–Luftëtari 1-0


Plaku 51′


Kastrioti–Kukësi     0-3


Pengili 36′ (ag), Mziu 75′, Popoviç 78′


Flamurtari-Vllaznia  3-1


Idrizaj 3′, Nelaj 45′, Lena 88′ / Shtupina 53′


Besa–Apolonia   1-1


Maliniç 40′ / Dushku 64′


Tirana-Bylis    2-1


G.Lika 11′, Limani 77′ / J.Sefa 39′


Shkumbini-Tomori     2-1


Mile 20′, 22′ / Avdo 76′


 


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Skënderbeu   25   58 (CH)


2. Kukësi  25   49 (EL)


3. Teuta   25   48 (EL)


4. Flamurtari   25   45


5. Tirana  25   42


6. Laçi    25   37


7. Vllaznia     25   35


8. Kastrioti    25   34


9. Besa    25   31


10. Bylis  25   29


11. Shkumbini   25   26 (Kat. I)


12. Luftëtari   25   19 (Kat. I)


13. Tomori 25   16 (Kat. I)


14. Apolonia    25   12 (Kat. I)


Kategoria e Parë


Mbijetesa, 6 skuadra në ankth, rrezikon Dinamo


Kur duhet të luhen edhe 90 minutat e fundit të sezonit të Kategorisë  së Parë, plot 6 skuadra janë në ankth për mbijetesën, mes të cilave edhe Dinamo. Blutë një ndihmë e kanë marrë dje nga rivali kryeqytetas, Partizani, i cili nuk i hapi rrugën Besëlidhjes, të cilën e ndali në një barazim 1-1, edhe pse të kuqtë kishin siguruar ngjitjen në Superiore. Tani lezhjanët janë më të rrezikuarit për të rënë në Kategorinë e Dytë. Vetë Dinamo nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në transfertë ndaj Ilirisë në një sfidë të tensionuar, ku u rrah nga policia edhe lojtari i vendasve, Klodian Baku. Në javën e fundit, blutë do të presin Pogradecin. Bashkë me Dinamon (37 pikë) në rrezik për të rënë janë edhe 5 skuadra të tjera si Besëlidhja (35), Iliria (37), Butrinti (37), Burreli (39) dhe Himara (39). Dy nga këto skuadra pas javës së fundit do t’u bashkohen të rënëve tashmë, Gramshit dhe Naftëtarit.