Listat e zgjedhësve
Ministria deklaron se janë 1,454 dublime. PS: Ka të paktën 33,000
Afatet – Në datën 14 maj mbyllet mundësia që të bëhen ndërhyrje në listën e zgjedhësve, pasi ajo konsiderohet përfundimtarja.
100 vjeç – Poni deklaroi se në vend janë 798 persona mbi 100 vjeç, por në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk kanë të drejtë të votojnë.
Zgjedhjet – Edhe 49 ditë e ndajnë vendin nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, për realizimin e të cilave, listat janë një komponent shumë i rëndësishëm.
Fatjona Mejdini
Opozita dhe mazhoranca po përdorin të dhëna kontradiktore me njëra-tjetrën për listën e zgjedhësve, në një kohë kur kanë mbetur dhe nëntë ditë nga mbyllja përfundimtare e tyre. Bazuar mbi databaza të ndryshme, shifrat për problematikën në listat e votuesve që palët japin janë krejtësisht kontradiktore. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, doli dje në një konferencë për mediat, për të paraqitur situatën me listat, duke theksuar se numri i votuesve në Shqipëri është 3,262,926 dhe janë vetëm 1,454 rekorde të personave të dyshuar si të dubluar. Nga ana tjetër, për Partinë Socialiste, të dubluarit nëpër lista janë rreth 33,000. Eksperti zgjedhor i PS-së, Bledar Çuçi, deklaroi dje për “Shqip” se PS vijon t’i mbetet kësaj shifre për numrin e dublimeve, në një kohë kur Ministria e Brendshme nuk e ka marrë parasysh, por ka vijuar me të dhënat e saj. Çuçi deklaron se situata mbetet problematike me zgjedhësit me adresa të paidentifikuara të votimit (me kodin 999), duke pasur mbi 400,000 rekorde të tilla. Sipas tij, puna për evidentimin e këtyre adresave duhet të ishte nisur vite më parë. Me shumë gjasa, edhe këtë vit, personat pa adresë të identifikuar do t’i drejtohen gjykatës për përcaktimin e vendit ku kanë të drejtën të votojnë.
Poni
Ministria e Brendshme, përmes zëvendësministrit Ferdinand Poni, bëri dje një paraqitje të të dhënave mbi situatën aktuale të listave të zgjedhësve për 23 qershorin. Në një kohë kur duhen dhe nëntë ditë nga përfundimi i të gjitha ndërhyrjeve që mund të bëhen në listë, Poni deklaroi se në listë janë 3,271,956 zgjedhës, ku 14,216 prej tyre nuk janë në format të gatshëm për publikim. Sipas Ponit, kjo gjë vjen pasi për ta duhet të gjendet një tjetër vend votimi, pasi qendra ku ishte përcaktuar për të votuar kishte numrin maksimal të zgjedhësve. “Me bashkimin apo ndarjen e qendrave të votimit që janë jashtë kriterit numerik dhe që në ekstraktin e datës 3 maj, janë 5 qendra votimi mbi kriterin numerik nga këto 2 në Tiranë dhe 17 qendra votimi nën kriterin numerik, procedurë që kryhet nga kryetarët e bashkive/komunave, do të bëhet shumë shpejt dhe përfshirja e këtyre zgjedhësve të mbetur jashtë liste”, deklaroi zëvendësministri në lidhje me këtë çështje. Por Poni u ndal dhe te çështja e dublimeve nëpër lista, duke theksuar se ky numër ishte reduktuar në 1,454 nga 7,674 të dyshuara fillimisht. “Për 6,220 rekorde kemi marrë përgjigje nga zyrat e gjendjes civile që nuk janë dublime ose janë pastruar të ndarë si më poshtë: 2,829 rekorde nuk janë dublime, 888 persona kanë aplikuar për letërnjoftim, 2503 rekorde janë bllokuar/pastruar si dublime”, deklaroi Poni dje përpara mediave, duke e quajtur situatën me listat nën kontroll.
Çuçi
Partia Socialiste, si forca më e madhe e opozitës, ka të dhëna krejt të tjera për numrin e rekordeve të dubluara në listat e zgjedhësve. Në një prononcim për “Shqip”, eksperti i PS-së për çështjen zgjedhore, Bledar Çuçi, theksoi se sipas “databazës” së tyre, në lista ishte një numër i konsiderueshëm si 33,000 dublime. Çuçi shpjegon se pavarësisht këtyre të dhënave që ata dispononin, Ministria e Brendshme nuk i ka marrë fare parasysh, po ka nisur dhe po e përfundon procesin me shifrat e saj. “PS vijon t’i qëndrojë shifrës 33,000 për sa i përket numrit të rekordeve nëpër lista. Por kjo shifra jonë nuk është marrë fare parasysh dhe ministria po vijon me të dhënat e saj, që nuk përkojnë me ato tonat”, thekson Çuçi. Ai e konsideron problematike situatën me qytetarët, të cilët nuk gjejnë dot adresën se ku duhet të votojnë dhe në vend të saj u shfaqet numri 999. Sipas Çuçit, janë rreth 400,000 zgjedhës, të cilët hasin këtë problem dhe për rregullimin e të cilit përpjekjet duhet të kishin nisur vite më parë. “Ministria e Brendshme duhet ta kishte zgjidhur këtë problem të evidentuar qartë nga vëzhguesit e ODIHR-it shumë kohë më parë. Tani është shumë vonë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje delikate”, theksoi Çuçi për “Shqip”.