Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e ministrisë së Brendshme, Flamur Noka se nuk mund të garantojnë më jetën e efektivëve të policisë. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Sajmir Tahiri duke marrë shkak nga humbja e jetës në krye të detyrës së efektivit Selman Lena deklaroi se oficerët e policisë nuk janë më njerëzit që garantojnë ligjin në emër të shtetit dhe qytetarëve, por individë të tradhtuar nga Kryeministri dhe Kupola e Policisë.
“Oficerët e policisë si Selmani dhe kolegu i tij, janë braktisur rrugëve nga Kupola e Policisë së Shtetit, ndërkohë që vetë përfaqësuesit më të lartë të Kupolës, bëjnë ortakëri me krimin. Qeveria, Kryeministri, Nul Moka e gjithë të tjerët, janë bërë si agjenci mortore me ngushëllimet e rastit për oficerët e rënë në krye të detyrës. Këta që nuk garantojnë dot jetën dhe nderin e efektivëve të policisë për së gjalli, mjaftohen t’u garantojnë nderin e ceremonisë mortore për në botën tjetër. Sepse krimi nuk ka më frike nga shteti, kriminelët nuk kanë më frike nga ligji, nuk kanë më frikë nga Policia e Shtetit”, ka thënë Tahiri.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të tij dhe anëtarëve të PS-së, Tahiri ka premtuar se shumë shpejt do të ndodh rilindja e misionit dhe shpirtit të skuadrës së Policisë së Shtetit. “Do rikthejmë sigurinë për qytetarët, duke larguar militantët dhe amatorët, duke mbrojtur profesionistët dhe oficerët e devotshëm të Policisë së Shtetit e duke goditur me gjithë forcën e ligjit, cilindo që do guxojë të prekë jetën dhe pronën e qytetareve. Dhe me më shumë forcë, ata që do guxojnë të prekin efektivët e policisë! Pas 23 qershorit, do i japim fund tradhtisë së efektivëve të Policisë së Shtetit duke rilindur një Shqipëri më të drejtë dhe më të sigurt”, përfundoi Tahiri.
5 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)